Kosova

QKUK: Mbingarkohet Klinika Emergjente

Qendra Klinike Universitare e Kosovës bën të ditur se Klinika Emergjente mbetet klinika më e mbingarkuar në tërë sistemin shëndetësor në vend.

Bazuar në raportin 2-javor të kësaj klinike, ka pasur 3790 raste që kanë marrë trajtim spitalor, në shërbime të ndryshme, reanimim, degët, internistike, kirurgjike, ortopedike, përfshirë edhe aksidentet në trafik, rastet e plagosjeve dhe të tjera.

Po ashtu, për këtë periudhë kohore janë kryer 66 operacione të ndryshme kirurgjike.

Klinika Emergjente apelon tek të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të respektojnë sistemin e referimit, fillimisht të lajmërohen tek mjeku familjar, e pastaj tek spitali i përgjithshëm më i afërt, kurse në QKUK të drejtohen vetëm në raste emergjente.