SHËNDETËSIA

QKUK: Hiqet lista e pritjes për sintigrafi

Lista e Pritjes për Scintigrafi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është hequr, pas vendimit për shërbim 24 orësh. Scintigrafia është një lloj i veçantë i procedurës së mjekësisë nukleare që përdor sasi të vogla të materialit radioaktiv për të diagnostikuar dhe vlerësuar seriozitetin e një sërë sëmundjesh, duke filluar nga ato të skeletit, zemrës, mushkërive, mëlçive etj.

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar po angazhohen, në mënyrë që gjatë vitit 2019 të hiqen listat e pritjes edhe për shërbimet tjera që ofrohen në QKUK. Drejtori i Shërbimit Klinik të Njësisë Nukleare, Fakir Spahiu, thotë se me miratimin kujdestarive pacientët marrin shërbimin brenda një jave.

“Pas miratimit të kujdestarive, në bashkëpunim me drejtorin e Përgjithshëm të SHSKUK-së, kemi marrë vendim që nga 1 dhjetori i vitit 2018, të fillojmë me shërbimin e kujdestarisë dhe për tre muaj e kemi hequr listën e pritjes”.

“Domethënë listë të pritjes në Shërbimin Klinik të Njësisë Nukleare nuk ka. Shërbimet e të gjitha scintigrafive që kërkohen, ne i kryejmë brenda një jave”, thotë Spahiu. Gjatë muajit janar, pas heqjes së listës së pritjes, në QKUK janë kryer 85 scintigrafi të eshtrave, 12 të veshkave, 5 të mushkërive dhe 80 të gjëndrës tiroide.

Drilona Loku, paciente, thotë se kishte shumë përvoja të këqija me spitalet. Por, tash, ajo ka ndryshuar mendim për QKUK-në, kur ka ardhur për ta kryer scintigrafinë e eshtrave. “Nuk me ka ra me prit shumë, menjëherë kam kry punë. Për mendimin tim, këtu po u kryjke shumë më shpejt sesa në Spitale tjera.

Është hera e parë që kam ardhur këtu. Nuk kam mendu që mund ta marrë shërbimin kaq shpejt. Kohëve të fundit kam pasur eksperienca të këqija dhe kam menduar se edhe këtu do të më presin ashtu, ama shumë më shpejt më kanë marrë në dorë se në spitale tjera”, thotë Loku.

Hasan Kurtishaj, i cili po e shoqëron vëllanë për një analizë më të detajuar, thotë se në QKUK ka shërbime të mira. Fton të gjithë, që kanë nevojë për trajtim mjekësor,t’i drejtohen Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Edhe pse kam pasë punë në spitale më herët, shërbimet tash janë në nivel, tash janë shumë më të mira se atëherë. Kanë ardhur edhe mjetet e reja, të gjitha janë në nivel. Ata të cilët kanë nevojë, sikur unë që e kam vëllanë, duhet të vijnë këtu, sepse ka shërbime të mira, po them me plot gojë”, thekson Kutishaj.

Në bazë të raportit të punës, vetëm gjatë kujdestarive, për një muaj, janë ofruar 197 shërbime të scintigrafisë. /Kosova.info/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.