Bota

Qindra e mijëra shqiptarë marrin pjesë në zgjedhjet e BE-së

Me hapjen e vendvotimeve në Holandë dhe Britani të Madhe, të enjten, ka nisur cikli i zgjedhjeve për deputetë të Parlamentit Evropian, i cili do të përmbyllet të dielën mbrëma.

BE-ja ka vendosur të caktojë kornizën kohore nga 23 maji deri më 26 maj, në mënyrë që të respektohen ligjet dhe traditat zgjedhore të vendeve anëtare. Në disa prej tyre, si në Holandë dhe Britani të Madhe, zgjedhjet duhet të zhvillohen në ditë pune, shkruan sot Koha Ditore.

Në disa, sikur Çekia, zgjedhjet duhet të zhvillohen dy ditë, ndërsa në shumicën e tyre duhet të jetë ditë pushimi, pra e diel.

Siç ka ftuar edhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, por edhe shumë liderë të tjerë evropianë, qytetarët kësaj radhe duhet të dalin në një numër më të madh në votime në mënyrë që të marrin pjesë në vendosjen e drejtimit, në të cilin do të ecë BE-ja në të ardhmen. Kësaj radhe në fushatë kanë dominuar temat, si: migracioni, siguria, ruajtja e ambientit, mirëqenia sociale dhe e ardhmja e integrimeve evropiane.

Ka pasur shumë thirrje që të ndalet vala e rritjes së ekstremit të djathtë në këto votime. Por përshtypja është se frika nga partitë populliste, me disa përjashtime si Italia e Franca, ka qenë i ekzagjeruar.