Bota

Qeveria suedeze buzë rrëzimit, javën e ardhshme në mocion mosbesimi

Suedie përballet ose me zgjedhje të reja, ose me qeveri në detyrë, nëse javën e ardhshme kalon mocioni i mosbesimit kundër kryeministrit Stefan Lofven, siç edhe pritet. Vetë shefi i qeverisë tha të enjten se ende nuk ka vendosur nëse do të japë dorëheqje apo do të shpallë zgjedhje të parakohshme, nëse e humb mocionin.

Mocionin e mosbesimit e kërkoi partia e së djathtës ekstreme, Demokratët e Suedisë, pasi Partia e Majtë e tërhoqi përkrahjen e saj për kryeministrin Lofven shkaku i një plani për ta larguar kontrollin e qirave në banesat e ndërtuar rishtazi. Mocioni i mosbesimit është caktuar për të hënën.

“Nëse kemi një mundësi për ta zëvendësuar këtë qeveri dëmtuese, do ta shfrytëzojmë atë”, tha në një konferencë për gazetarë shefi i grupit parlamentar të Demokratëve Suedezë, Henrik Vinge.

Edhe partitë tjera opozitare kanë thënë se do të votojnë për ta larguar nga pushteti Lofvenin, koalicioni i të cilit varet nga përkrahja e partisë ish-komuniste, Partia Majtiste, dhe nga dy parti të vogla të qendrës së djathtë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Është një rrugë e rrezikshme që Partia Majtiste dhe partitë konservatore të së djathtës po e zgjedhin tani. Ato nuk kanë plan të përbashkët për të ardhmen”, tha kryeministri Lofven.

Sipas sondazheve, zgjedhjet e reja nuk do të sillnin shumë ndryshime, sepse as qendra e majtë, as qendra e djathtë nuk do ta fitonin shumicën, nëse kutitë e votimit do të hapeshin sot. Për ta ndërlikuar edhe më shumë matematikën zgjedhore, disa parti më të vogla rrezikojnë që të mos e kalojnë pragun prej 4 për qind për t’u futur në kuvend.