Rajoni

Qeveria sllovene propozon pako 3 miliardë euro për të prekurit nga koronavirusi

Sllovenia do t’i shtrëngojë edhe më tutje kufizimet për lëvizjen e qytetarëve, duke vendosur kufizime ndaj njerëzve që lëvizin jashtë komunave të tyre që nga e hëna, masa këto për të frenuar përhapjen e koronavirusit, ka njoftuar të dielën qeveria.

Vendi, i cili kufizohet me Italinë, Austrinë, Hungarinë dhe Kroacinë, deri më tani ka 730 raste të konfirmuar me 11 vdekje, raporton Reuters.

Njerëzve do t’u lejohet të largohen nga komuna e tyre nëse ua kërkon puna, apo kanë nevojë për vizitë mjekësore, transmeton KOHA.

Qeveria zbuloi edhe pakon 3 miliardë euro që ka për synim të ndihmojë qytetarët dhe kompanitë e prekura nga koronavirusi. Pakoja pritet të kalohet nga parlamenti ditëve në vijim.

Sipas kufizimeve të reja, kushdo që shkon në ndonjë hapësirë publike të mbyllur, si për shembull ndonjë dyqan ushqimor, duhet të jetë i pajisur me doreza mbrojtëse dhe ta mbulojë gojën dhe hundën me maskë apo shall.

Të moshuarit do të lejohen të shkojnë nëpër dyqane ushqimore vetëm nga ora 8 deri në 10 të mëngjesit.