Qeveria miraton planin për trajtimin e invalidëve të luftës jashtë institucioneve shëndetësore publike

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje elektronike ku ka marrë tri vendime të rëndësishme.

Kështu bëri të ditur Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media.

Vitia tha se ndër këto vendime është edhe vendimi për aprovimin e kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë për mbulim të trajtimit mjekësor të personave me status të invalidit të luftës me qëllim të ndërrimit, mirëmbajtës apo vendosjes së protezave jashtë institucioneve shëndetësore publike, kur këto të fundit nuk ofrojnë këto shërbime.

“Jam i lumtur që ky proces po kthehet në binar. MSH vitin e kaluar ka aprovuar një plan të veprimit për ngritjen e kapaciteteve në institucionet shëndetësore publike që të ofrohet ky shërbim në të ardhëm. Janë ndarë 2 milionë euro për tri vitet e ardhshme, dhe ky është hapi i parë që po bëjmë dhe puna për funksionalizimin e këtij shërbimi në institucionet shëndetësore publike po vazhdon dhe do të vazhdoj”, tha Vitia.

Ndërkaq zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Agon Dobruna u shpreh se marrja e këtij vendimi të rëndësishëm, tregon dedikimin e Qeverisë për mbrojtjen dhe ndihmën e kategorive më të çmuara që janë njëra ndër kategoritë që kanë vënë themelin e shtetit tonë.

“Edhe pse është kompetencë e MSH, ne si MF kemi mbështetur dhe kemi adresuar këtë kërkesë duke u mbështetur në ndihmën financiare përmes fondit shëndetësorë”, tha Doburna.

Ai shtoi se përmes fondit shëndetësorë do të trajtohen të gjitha kërkesat e invalidëve dhe kategorive të dala nga lufta që do të kenë nevojë për proteza të tilla. 

Go to TOP