KULTURË

Qeveria hesht ndaj “Europa Nostras” për “Manastirin e Deçanit në rrezik”

Deri në mars të këtij viti Manastiri i Deçanit do të presë në listën e “12 monumenteve më të rrezikuara të Evropës” me mundësinë që të futet në shtatëshe. Këtë “epitet” po synon t’ia japë një organizatë jo pak e njohur në fushën e trashëgimisë kulturore – “Europa Nostra”. Nga njohës të kësaj fushe situata e paraqitur nga “Europa Nostra” nuk paraqet gjendjen reale dhe Qeveria e Kosovës duhet të reagojë. Madje ashpër. Por deri më tash institucionet shtetërore kanë heshtur. S’ka asnjë reagim zyrtar në adresë të organizatës që Kosovën e paraqet me fusnotë

Propaganda serbe për qëllime politike dhe ajo e vetë Kishës Ortodokse Serbe ka bërë që një organizatë e njohur e trashëgimisë kulturore në Evropë ta fusë Manastirin e Deçanit në mesin e “12 monumenteve më të rrezikuara të Evropës”. Kësisoj shihet në Kosovë renditja që ka bërë organizata “Europa Nostra”.

Midis “12 monumenteve më të rrezikuara të Evropës” bën pjesë Manastiri që gjendet në qytetin perëndimor të Kosovës. Po ashtu ky objekt kulturor është në garë që të hyjë në shtatëshen më të rrezikuar, listë kjo që do të publikohet në marsin e vitit që vjen. Por ani pse kanë kaluar katër ditë prej alarmit që ka ngritur kjo organizatë, institucionet shtetërore kanë heshtur. S’ka asnjë reagim zyrtar në adresë të organizatës që Kosovën e paraqet me fusnotë.

Por në sytë e atyre që merren me trashëgimi kulturore situata e paraqitur nga “Europa Nostra” nuk paraqet gjendjen reale dhe Qeveria e Kosovës duhet të reagojë. Madje ashpër.

Sipas organizatës që është themeluar në nëntor të vitit 1963 në Paris dhe numëron anëtarë nga 40 shtete, Manastiri i Deçanit qysh prej qershorit të vitit 1999 është duke u ruajtur nga KFOR-i. Një patrullë e forcave paqeruajtëse qëndron aty gjatë gjithë kohës. Ata marrin dokumentet e identifikimit të atyre që vizitojnë monumentin e trashëgimisë kulturore.

“Manastiri ishte target i sulmeve me granata nga ekstremistët lokalë në periudhën prej vitit 1999 deri më 2007, si dhe një përpjekje për sulm terrorist nga ISIS-i më 2016, duke shkaktuar një dëm lehtësisht të riparueshëm”, shkruhet në publikimin e kësaj organizate në ueb-sajtin zyrtar. Aty nxirren konstatime se “Manastiri bashkë me zonën e veçantë të mbrojtur janë duke u ballafaquar kërcënime serioze sa i përket ambientit”. “Plani hapësinor komunal lokal nuk është në përputhje me rregullat e rrepta të mbrojtjes për një trashëgimi botërore të UNESCO-s ose ligjet dhe rregulloret përkatëse kombëtare. Ekziston një rrezik i vazhdueshëm i ndërtimit të objekteve të papërshtatshme urbane në afërsi të Manastirit, si dhe rreziku i shpronësimit të tokës që i përket Manastirit të Deçanit. Veçanërisht i rrezikshëm është plani për të pasur një autostradë të madhe ndërkombëtare pranë portave të Manastirit”, shkruan organizata, duke shtuar se bëhet fjalë për monumentin e vetëm në Evropë që ruhet nga ushtria tash e 20 vjet. Prej vitit 2004 Manastiri i Deçanit është futur si objekt i Serbisë në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik. Dy vjet më vonë në po këtë listë u përfshinë edhe Patrikana e Pejës, Manastiri i Graçanicës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren. Organizata evropiane pos Manastirit të Deçanit në listë ka përfshirë edhe pjesa e hekurudhës “Achensee Steam Cog” në Tyrol të Austrisë, Teatri Modern në Sofje të Bullgarisë, Kompleksi memorial në Mirogoj të Zagrebit në Kroaci, Kisha e Shën Denisit në Hauts të Francës, kështjella “Narikala” në Tbilisi të Gjeorgjisë, Sistemi i Hapësirës së Gjelbër në Köln të Gjermanisë, Parku u Giustit në Verona të Italisë, Pesë ishujt jugorë të Egjeut në Greqi, pallati “Ca’ Zenobio” në Venecie të Italisë, Zyra e Postës Qendrore në Shkup të Maqedonisë dhe Kapela e Shën Juan në Cantabria të Spanjës.

Por ndryshe nga rreziku për Manastirin e Deçanit, që përshkruan “Europa Nostra”, janë të dhënat në terren.

Muajin e kaluar përfaqësuesit e Manastirit bashkë me pushtetin lokal të Deçanit, Qeverinë e Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë arritur marrëveshje për autoudhën Deçan-Plavë. Kosova ka Ligj për mbrojtjen e zonave të veçanta, i cili buron nga Pakoja e Ahtisaarit mbi të cilën është shpallur pavarësia e vendit më 2008. Pos kësaj, në kuadër të Policisë së Kosovës ekziston Njësiti i trashëgimisë kulturore.

Krejt vendimet në raport me zonat e veçanta ku bëjnë pjesë monumentet e shtetit që janë edhe objekte kulti të fesë ortodokse, merren nga Këshilli për Zbatim dhe Monitorim. Pjesë e këtij këshilli janë përfaqësues të Ministrisë së Ambientit, të Ministrisë së Kulturës, Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, OSBE-së dhe Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

KOHA gjatë ditës së hënë i ka dërguar pyetje juristes beogradase Sneshka Quaedvlieg-Mihailoviq, e cila është sekretare e përgjithshme e organizatës “Europa Nostra”, por ajo nuk është përgjigjur. Përgjigje nuk ka pasur as Ministria e Kulturës.

Kurse në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit kanë thënë se Manastiri i Deçanit është një monument kulture, të cilit i dihen vlerat botërisht. Sipas përgjigjeve me shkrim të kabinetit të ministrit Blerim Kuçi, kujdesi ndaj këtij manastiri ka qenë i vazhdueshëm që nga paslufta.

“Në këtë përshkrim të bërë nga ‘Europa Nostra’ përmenden disa raste, të cilat janë cilësuar si raste të izoluara në të kaluarën. Në të gjitha rastet institucionet e Republikës së Kosovës i kanë trajtuar çështjet me prioritet dhe i ka zbardhur rastet”, shkruhet në përgjigje. Sipas kabinetit, ministri Blerim Kuçi është bashkudhëheqës me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë të Këshillit për Zbatim dhe Monitorim. Kanë sqaruar se në këtë këshill së fundi është diskutuar edhe çështja e rrugës Deçan-Plavë, ku edhe është arritur marrëveshja për ndërtim të rrugës, për të cilën gjë është pajtuar edhe përfaqësuesi i Manastirit, Sava Janjiq.

“Gjithçka bëhet me dialog, duke ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore të Manastirit të Deçanit. Ne besojmë që do të ishte e udhës të vendosim kontakt me ‘Europa Nostra’ dhe t’i njoftojmë me gjendjen dhe trajtimin e jo vetëm këtij manastiri nga Republika e Kosovës. Vlerësojmë se këtë do të duhej ta bënte Ministria e Kulturës, që gjithashtu bën pjesë në Këshillin për Zbatim dhe Monitorim”, shkruhet në përgjigje.

Arkitekti Sali Shoshi, i cili udhëheq degën në Kosovë të organizatës suedeze “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, ka thënë se propozimi që Manastiri i Deçanit të përfshihet në listën e “Shtatë lokaliteteve me të rrezikuara të Evropës” ka prapavijë politikë dhe ndërlidhet ekskluzivisht me situatën aktuale në raportet Kosovë-Serbi, dhe temat të cilat janë pjesë e dialogut, një ndër ato edhe trashëgimia kulturore.

“Vlerësoj se qarqe të caktuara brenda ‘Europa Nostra’ dëshirojnë që përmes kinse shkallës së lartë të rrezikshmërisë në të cilën qenka Manastiri i Deçanit të lobohet dhe promovohet ideja për eks-territorialitet në menaxhimin e lokaliteteve të cilat konsiderohen të rëndësishme për komunitetin serb në Kosovë, dhe në të njëjtën kohë të rëndësishme për agjendën politikë të Serbisë”, ka thënë ai. Shoshi, i cili është prej kritikëve më të mëdhenj të institucioneve sa i përket qasjes së përgjithshme ndaj krejt monumenteve, ka thënë se vlerëson që Kosova me gjithë ngecjet dhe problemet ka dëshmuar gatishmërinë për të ofruar standarde më të avancuara për menaxhimin e këtyre lokaliteteve duke miratuar tri ligje dhe duke krijuar mekanizma në të cilën përfshihet Kisha Ortodokse Serbe dhe autoritetet ndërkombëtare në Kosovë.

“Ky është një shembull unik në Evropë për një qasje të hapur dhe gjithëpërfshirëse duke iu dhënë mundësinë KOS-it të jetë pjesë vendimmarrëse e procesit. Me tej mekanizmat e sigurisë në Kosovë kanë krijuar njësi të veçanta të sigurisë, të cilat monitorojnë këto lokalitete për të ofruar një ambient të sigurt dhe paqësor”, ka thënë ai. “Prandaj unë vlerësoj se Manastirit të Deçanit nuk i kanoset asnjë lloj rreziku të natyrës së sigurisë dhe se një tendencë për të cilësuar ndryshe është me motive politike dhe e rrezikshme për situatën aktuale. Mendoj që Qeveria e Kosovës duhet të reagojë ashpër ndaj kësaj tendence”, ka përfunduar Shoshi.

Në prill të këtij vitit në Serbi është publikuar një raport prej 27 faqesh i titulluar “Trashëgimia kulturore dhe fetare serbe në Kosovë nga zonat speciale të Ahtisaarit deri në statusin përfundimtar”. Raporti i autorëve Stefan Surliq dhe Igor Novakoviq rekomandon që në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë t’i jepet autoritet i plotë Kishës Ortodokse Serbe sa i përket administrimit të atyre që i paraqesin si “Trashëgimi kulturore dhe fetare serbe në Kosovë”.

Image