EKONOMI

Kurti: Më 1 prill heqim taksën – Serbia ka afat 90 ditë për të reflektuar

Qeveria e Kosovës, gjatë javës së ardhshme do të marrë vendim që nga data 15 mars, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Këtë e ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media.

“Kjo është si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”, ka thënë Kurti.

Ai u ka bërë ftesë autoriteteve të Serbisë që si përgjigje ndaj vendimit të palës së Kosovës, të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe të nisë me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës.

Siç ka thënë Kurti, nëse pala serbe dëshmon përkushtimin në ndalimin e fushatës jomiqësore ndaj Kosovës dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave tregtare jotarifore, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do ta heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina për një periudhë prej 90 ditëve.

Kryeministri Kurti ka theksuar që Bashkimi Evropian duhet ta vlerësojë lartë vendimin e palës së Kosovës për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, duke e ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit, që do të mbahet më 7 maj 2020.

Kurti ka shtuar që në rast se Serbia nuk e përfillë vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë, nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, “atëherë, Qeveria e Kosovës, me fillim nga data 1 prill do të nisë me implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë dhe më pastaj edhe në fushën ekonomike dhe atë politike”.

Në rast se pala serbe nuk reflekton gjatë periudhës prej 90 ditësh, siç ka thënë kryeministri Kurti, “Qeveria e Kosovës, nga data 15 qershor,do ta rikthej tarifën për importet nga Serbia, ndërkaq që do të vazhdohet edhe zbatimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit”.

Kurti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të dalin me instrumente të detajuara dhe afate kohore që listojnë përfitimet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike, mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët, si dhe të listojnë pasojat për palën jobashkëpunuese në proces.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili, përmes një postimi në Facebook, e ka konsideruar këtë vendim “dorëzim para Serbisë”.

“Sonte Albin Mashtruesi u dorëzua para Serbisë. Ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin Mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia”, tha Haradinaj.

Tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është vendosur në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, si kundërpërgjigje, siç është thënë, ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për tërheqjen e njohjeve të saj.

Që nga atëherë, Beogradi zyrtar ka refuzuar të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pa heqjen e kësaj tarife.

Ashtu si qeveria e ish-kryeministrit Haradinajt, edhe qeveria e re e kryeministrit Kurti është përballur me kërkesën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për heqjen e tarifës, si kusht për rifillimin e dialogut Kosovë – Serbi, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve.