Kosova

Qeveria e Kosovës lehtëson masat për luftim të pandemisë

Qeveria e Kosovës ka hequr disa kufizime të vëna më 6 prill për luftim të pandemisë së koronavirusit.

Me vendim të ri të së dielës, i cili nis së zbatuari nga 19 prilli, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë në periudhën 22:30 – 05:00.

Institucionet arsimore, si publike, ashtu edhe ato private të të gjitha niveleve të arsimit, do të zhvillojnë mësimin me prezencë online.

Bizneseve të gastronomisë do t’iu lejohet puna, mirëpo duket pasur parasysh mbajtjen e distancës fizike dhe kufizimin e konsumatorëve për metër katror.

Qendrat tregtare do të hapen po ashtu, duke pasur parasysh mbajtjen e distancës.

Sa i përket hyrjes në territorin e Kosovës, masa e njëjtë do të vazhdojë të zbatohet, që nënkupton se secili person që shkon në këtë shtet nga një vend me rrezikshmëri të lartë duhet të prezantojë testin PCR për koronavirus, jo më të vjetër se 72 orë.

Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për atë që është konsideruar mbyllje e pjesshme nga data 7 deri më 18 të këtij muaji.

Masat kishin për qëllim luftimin e pandemisë, pas rritjes së numrit të të infektuarve nga muaji mars.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 101,517 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,072 kanë vdekur.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Ky vend është thënë se do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.