KULTURË

Qerkezi do të debutojë në teatrin prestigjioz italian me “Rigoletto”

Skena e teatrit prestigjioz italian në Caligari sivjet do të jetë ndalesa e radhës për sopranon kosovare Marigona Qerkezi.

Ajo ka marrë ftesë për t’u ngjitur në skenën e “Teatro Lirico di Caligari”, ku do të debutojë me rolin e Gildës. Qerkezi, për të cilën sukseset nuk kanë të ndalur në skenën botërore, këtë vit do ta bartë peshën e rolit kryesor të një prej operave më të njohura: “Rigoletto” e Verdit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kjo operë në tri akte, sjell rrëfimin e një vajze të re, Gildës e cila është e brishtë dhe e shtypur.

Nën dirigjim e maestros Elio Boncompagni, e regji të Pier Francesco Maestrini, kjo operë do të vihet në skenë në muajin dhjetor, në objektin i cili është ndërtuar me qëllim që Cagliari të bëhet njëri prej qyteteve me teatër të përmasave botërore.

Qerkezi, e cila para se të ngjitet në skenën e Cagliarit, me rolin e Madame Cortese, në “Il viaggio a Reims” e Rossinit do të bëjë një turne nëpër katër teatro të ndryshëm. Në muajin shtator ajo do të ngjitet në skenën e “Teatro Sociale di Como”, një tjetër teatër me goxha traditë, i ndërtuar më 1813 me një kapacitet prej 900 ulësesh. Ndërsa një muaj më pas Qerkezi rikthehet në “Teatro Fraschini” .