Kosova

Që nga sot Policia e Kosovës i rikthehet orarit të zakonshëm të punës

Në fazën e dytë të lehtësimit të masave dhe kthimin në normalitet, policët nga sot kanë filluar të punojnë në orarin e tyre të rregullt të punës, në përjashtim të atyre të rajonit të Prizrenit.

Nga orari 12 orësh, sot ata do të punojnë nga tetë orë, ndërsa orari i zgjatur i punës pritet të vazhdojë për policët në rajonin e Prizrenit, pasi konfirmimit të rasteve të reja me virus e ku në mesin e të infektuarve janë edhe policë.

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Policia e Kosovës kryesisht do të kthehet në orarin e rregullt të punës (8 orësh), përjashtuar vlerësimet për rajonin e Prizrenit për arsye të rasteve te fundit me COVID-19”, ka thënë ai.

Ndërkaq, në Kosovë deri tani me coronavirus janë konfirmuar 1 mijë e 38 persona, 791 prej të infektuarve janë shëruar kurse janë regjistruar 30 vdekje por që kishin edhe probleme tjera shëndetësore. /Telegrafi/