SHËNDETËSIA

Që nga paslufta qendrat e mjekësisë familjare me staf të njëjtë

Qendrat e mjekësisë familjare në vend po vazhdojnë me vite të ballafaqohen me mungesë të personelit mjekësor. Edhe pse disa nga mjekët familjarë kanë filluar të dalin në pension, këto qendra vazhdojnë të mos punësojnë staf të ri.

Që nga paslufta disa qendra të mjekësisë familjare në Kosovë vazhdojnë të kenë numrin e njëjtë të personelit mjekësor, ndonëse ka pasur vazhdimisht kërkesa për rekrutimin e stafit të ri për shkak të numrit të madh të pacientëve, shkruan gazeta “Zëri”.

Sami Uka, kryeshef në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ka thënë për “Zërin” se mungesa e stafit mjekësor ka filluar të ndihet edhe për shkak të pensionimit të një numri të caktuar të profesionistëve shëndetësorë. Ai ka thënë se nevoja për rekrutimin e një numri të ri profesionistësh në këtë qendër është vërtet e ngutshme. “Stafi i tashëm mjekësor i angazhuar në Kujdesin Parësor Shëndetësor (KPSH) të Prishtinës nuk është i mjaftueshëm.

Paradoksi qëndron në faktin se nevoja për staf mjekësor është llogaritur dhe vazhdon të llogaritet nga Ministria e Financave vetëm duke u bazuar në numrin e banorëve rezidentë të Komunës së Prishtinës. Ky numër është larg numrit real të qytetarëve që marrin shërbime të kujdesit shëndetësor në Prishtinë”, ka thënë ai.