
Kompania Facebook është përfshirë nga skandale dhe shkelje të të dhënave vitin e kaluar. Ndërsa ky trend ka vazhduar edhe këtë vit.
Së fundmi, një studiues i sigurisë ka zbuluar një bazë të dhënash me informacione mbi emrat dhe numrat e telefonave të 267 milionë përdoruesve të rrjetit social Facebook.
Të dhënat ishin në një format të pambrojtur dhe të kopjuara në forumet e hakerëve.
E kjo paraqet thesar të të dhënave për reklamuesit, ngase të dhënat janë të ligjshme dhe vijnë nga vetë rrjeti social, që konsiderohet burim i besueshëm, raporton Reuters, transmeton KTV.
Sidoqoftë, për hakerët, zotërimi i këtyre të dhënave nënkupton se ata mund të ndërlidhin të dhënat nga regjistrimet e telefonit me profilet e përdoruesve të Facebook.
Sipas analistëve, të dhënat mund të komprometohen përmes një programi të caktuar, që u jep zhvilluesve qasje mbi të dhënat, siç janë lista e miqve, grupet dhe fotot.
Përndryshe, kompania Facebook është kritikuar vitet e fundit për shkak të mungesës së protokolleve të sigurisë.
Vitin e shkuar, kompania e quajtur Cambridge Analytica i kishte marrë të dhënat e përdoruesve të Facebook-ut duke përdorur një aplikacion, që në fund doli se nuk ishte vetëm studim akademik.
Ende nuk ka asnjë informacion se si përdoruesit mund të zbulojnë nëse të dhënat e tyte janë hakuar apo nëse baza e të dhënave shpërndahet mes forumeve të hakerëve.