Rajoni

Publikohen pamjet e rënda kur efektivja humbi gishtat nga kapsolla

Janë publikuar pamjet e rënda të efektives që u lëndua gjatë protestës së dhunshme të banorëve që preken nga projekti i Unazës së Madhe.

“Vizion Plus” ka publikuar videon e momentit kur polices i janë këputur gishtat e dorës nga një kapsollë e hedhur nga protestuesit.

“Dora ime, dora”, dëgjohet të thotë efektivja në video, ndërsa kolegët mundohen ta qetësojnë duke i thënë se s’ka asgjë dhe se thjesht është trembur nga shpërthimi.

Britmat e saj nga dhimbja dëgjohen nga të gjithë të pranishmit që kanë mbetur të shokuar, ndërsa pamjet janë vërtet të frikshme.

12 policë janë lënduar nga protestuesit e dhunshëm para Parlamentit, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje të rëndë.

“Efektivët janë lënduar me mjete të forta dhe piroteknike, hedhur nga tubuesit mbi punonjësit e Policisë, të cilat dhe janë dërguar në spital për ndihmë të specializuar mjekësore. Një punonjëse policie ka dëmtime më të rënda në krah”, thuhet në një komunikatë të Policisë së Shtetit.