Kosova

Publikimi i raportit “Dialogu Kosovë-Serbi: shqyrtimi i perceptimeve të anketuarve”

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar sot raportin “Dialogu

Kosovë-Serbi: shqyrtimi i perceptimeve të të anketuarve” sipas gjetjeve të Barometrit Kosovar të Sigurisë i realizuar gjatë muajit tetor të vitit 2019, në Kosovë.

Raporti analizon perceptimet publike në Kosovës lidhur me kërcënimet kryesore ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës, çështjet që lidhen me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe mendimet e të anketuarve rreth shteteve të Ballkanit Perëndimor, shteteve evropiane dhe fuqive globale që kanë ndikim mbi politikën e jashtme të Kosovës.

Në këtë mënyrë, sipas qytetarëve të Kosovës që janë anketuar, korrupsioni në Kosovë perceptohet si rreziku më i lartë ndaj sigurisë kombëtare të shtetit të Kosovës. Shumica dërmuese e të anketuarve ose 91.41 për qind e tyre e perceptojnë korrupsionin si rrezikun më të madh të brendshëm në Kosovë.

Ndërsa, papunësia (90.98 për qind) renditet në vendin e dytë dhe krimi i organizuar (89.31 për qind) renditet në vendin e tretë gjegjësisht si rreziqe ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës.

Lidhur me çështjet e shumëpërfolura e që ndërlidhen me dialogun Kosovë-Serbi, më saktësisht ndarja e Kosovës ose shkëmbimi territorial ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (78.48 për qind) dhe autonomia territoriale/Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë (64.61 për qind) perceptohen nga të anketuarit si rreziqe të nivelit të lartë ndaj sigurisë kombëtare.

Megjithatë, shumica e të anketuarve janë shprehur në favor të vazhdimit të dialogut, përkatësisht pothuajse 50 për qind e të anketuarve deklaruan se dialogu duhet të vazhdojë. Ndërkaq, 21 për qind e të anketuarve janë shprehur se dialogu duhet të kushtëzohet me njohje nga Serbia të pavarësisë së Kosovës dhe të krimeve të luftës të kryera në Kosovë gjatë luftës.

Përkundër kësaj, pothuajse 15 për qind e të anketuarve shprehën mendimin se dialogu nuk duhet të vazhdojë.

Sa i përket tarifave doganore të Kosovës ndaj Serbisë e Bosnjës dhe Hercegovinës, të anketuarit shprehën qëndrime të ndryshme nëse taksa duhet të mbetet në fuqi ose nëse duhet të aplikohen masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Perceptimi i 35.32 për qind të të anketuarve është se tarifat duhet të mbeten në fuqi, ndërsa 32,97 për qind e të anketuarve shprehën mendimin se tarifat duhet të

zëvendësohen me aplikimin e masave të reciprocitetit të plotë të Kosovës ndaj Serbisë. Përkundër kësaj, rreth 22 për qind e të anketuarve thanë se tarifat ndaj Serbisë duhet të hiqen nga Qeveria e Kosovës.

Të pyetur nëse tarifat doganore kanë dobësuar marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtare, të anketuarit kanë shprehur pikëpamje të ndryshme. Për më tepër, rreth 33.47 për qind e të anketuarve nuk pajtohen që tarifat zbehën marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

Sidoqoftë, rreth 30.28 për qind e tyre deri diku pajtohen dhe 27.33 për qind të tjera pajtohen se tarifat doganore të Kosovës ndaj Serbisë kanë dobësuar raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas shumicës dërmuese të të anketuarve, Gjermania (79.85 për qind), Shtetet e Bashkuara (78.60 për qind), Shqipëria (69.69 për qind) dhe Mbretëria e Bashkuar (62.85 për qind) janë shtetet më miqësore të Kosovës dhe renditen si aleatët dhe partnerët më strategjikë të Kosovës.

Ndërsa, Serbia konsiderohet si shteti me ndikimin më të dëmshëm ndaj Kosovës nga 89.86 për qind e të anketuarve, e ndjekur nga Rusia (81.35 për qind) dhe Kina (59.61 për qind).

Leave a Reply

Your email address will not be published.