Kombëtare

Publicisti shqiptar: Aksioni në Veri është bashkëpunim, i përfshirë edhe Edi Rama- ja faktet

Publicisti i mirënjohur shqiptar, Kastriot Myftaraj, ka bërë një postim në profilin e tij në Facebook në lidhje me aksionin policor në Veri për reciprocitetin me targa.

Ai beson që e gjithë ajo që ka ndodhur është e inskenuar nga liderët Kurti e Vuçiq me ndërmjetësimin e kryeministrit shqiptar, Edi Ramës.

Myftaraj jep si argument edhe ‘ultimatumin’ një-mujor që Vuçiq i dha Bashkimit Evropian për çështjen, kohë kjo që përputhet me përfundimin e fushatës dhe zgjedhjeve në Kosovë, përcjell Periskopi.

“Me këtë marrëveshje nis dhe bashkëpunimi Kurti-Vuçiç.” – shkruan z. Myftaraj.

Kryeministri Kurti ka paralajmëruar vendosjen e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë, por asnjë hap deri tash nuk është ndërmarrë në këtë drejtim.

Rama i dha mbështetje iniciativës së Kurtit gjatë ditës së djeshme.

Statusi i plotë:

Edi Rama, ndërmjetësues dhe garant i marrëveshjes me bashkëvetëvendosje Kurti-Vuçiç për lejimin e luftës së rreme të targave, deri katër ditë pas zgjedhjeve në Kosovë

Vuçiç me kinse afatin ultimativ njëmujor që i dha Bashkimit Europian për të ndërhyrë në krizën për targat, në të vërtetë i lejoi një periudhë një mujore Albin Kurtit, gjatë së cilës ky mund të luajë pa rrezik teatrin policoro-politik të luftës së rreme për targat.

Pra deri në ditën e zgjedhjeve dhe pak më përtej në një përpjekje për të mos rënë në sy kjo gjë, gjithsesi shumë e dukshme.

Prandaj Vuçiç e ka caktuar afatin katër ditë pas zgjedhjeve,  edhe për efekt rrumbullakimi të shifrave. Nuk mund të jepte një afat 26 ditor!

Pas zgjedhjeve Kurti do të tërhiqet me vetëvendosje. Pra, vetë vendosi për luftën e rreme me Serbinë për targat, vetë do të vendosë të tërhiqet.

SHBA dhe Bashkimi Europian do të përshëndesin vetëvendosmërinë e kryevetëvendosësit të rremë për të vetëvendosur tërheqjen nga lufta e tij e rreme.

Ndërmjetësuesi dhe garanti i marrëveshjes Kurti-Vuçiç është Edi Rama, i cili sot i dha mbështetje publike luftës së rreme të Kurtit.

Rama nuk do të rrezikonte kurrë që të mbështeste nismën në dukje të rrezikshme të Kurtit nëse nuk dinte se bëhet fjalë për një luftë të rreme.

Të tre llogarisin që të përfitojnë nga lufta e rreme për targat që po kryhet pas marrëveshjes së fshehtë.

Kurti pret që zgjedhësit në Kosovë të gënjehen masivisht nga lufta e tij e rreme dhe të vetëvendosin për të votuar “Vetëvendosjen”.

Si shpërblim, Kurti do t’i rindërtojë Edi Ramës kultin që ky u përpoq të krijonte në Kosovë dhe që iu shpërbë pasi Rama u vetësakrifikua për kultin e Vuçiçit. Skena do të jetë vizita e ardhshme e Ramës në Kosovë.

Vuçiç do të fitojë pikë në sytë e serbëve sepse do të respektohet ultimatumi i tij pas zgjedhjeve në Kosovë. Pra do të duket se Vuçiç fitoi luftën që nisi Kurti.

Kurti nuk do ta kishte nisur këtë aventurë të rrezikshme nëse nuk do të kishte garanci se ajo nuk do të përfundonte në katastrofë.

Se Kurti e dinte që ngjarjet mund të merrnin një rrjedhë shkatërruese për karrierën e tij politike që do të merrte fund nëse do të digjeshin dy apo tre autoblinda të Policisë së Kosovës dhe të vriteshin nja disa policë. Vuçiç me ketë rast do të shfajësohej se ngjarja ndodhi për shkak se serbët e Kosovës u provokuan nga Qeveria e Kurtit dhe Policia e Kosovës.

Ngjarja do të kishte shkaktuar me siguri rënien e Qeverisë së Kurtit për shkak të presionit ndërkombëtar dhe dorëheqjen e Osmanit që e mbështeti atë. Rama është garant që nga pala serbe nuk do ta teprojnë në dhunë.

Me këtë marrëveshje nis dhe bashkëpunimi Kurti-Vuçiç.

Komedi politike që luhet ndaj një populli që në shumicën e tij është në gjendje foshnjërie politike.