Kosova

PSHDK/ Duda Balje, duhet ta kuptoni se shqiptarët nuk ndahen në baza fetare

Së pari ju vejmë në dijeni se shqiptarët nuk ndahen në baza fetare. Një shqiptar, i krishterë ose mysliman qoftë,  është vetëm shqiptar. 

Koncepti politik i botës arabe është i huaj për vendin tonë. Këtu, shteti është i ndarë nga religjioni.  PSHDK nuk është  parti fetare, por është si çdo parti tjetër simotër në Evropë.

Aktiviteti i saj ka qenë, është dhe do mbetet përherë kombëtar e shtetëror. PSHDK, bashkë me LDK-në, janë dy partitë e para të themeluara në Kosovë me aspiratën dhe angazhimin për çlirimin e Kosovës dhe sendërtimin e shtetësisë së saj. Të dyja bashkë qëndrojnë në themelet e shtetit të Kosovës dhe prore të angazhuara për integrimin e saj në të gjitha mekanizmat ndërkombëtar.

Presidentin Rugova dhe PSHDK-në i ka bashkuar para së gjithash ideali i tyre i përbashkët për Kosovën dhe qytetarët e saj, dhe jo ai fetar-religjioz. Të mos harrojmë që PSHDK dikur ishte e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës me diku 20 deputetë. Së këndejmi, pjesëmarrja e tyre në qeveri ka qenë krejt e arsyeshme dhe jo ‘dhuratë’,nga LDK-ja, sikundër ka qenë e arsyeshme dhe e drejtë e meritore edhe pas luftës në Kosovë, dhe jo dhuratë apo privilegj pa meritë dhe pa votë, por dhuratë në bazë të rezulutës 1244, siç e kanë komunitete jo shumicë dhe ju e nderuara Duda Balje me vetëm 2751 vota.

Aleancat partiake kanë qenë kurdoherë e janë edhe sot të pranishme. Krejt kjo, bazuar në politikat që ata i bashkon dhe jo mbi baza fetare. Andaj, përpjekja Juaj që ta relativizoni prononcimin fyes e denigrues të z. Almir Velijit  në adresë të PSHDK-së është jo korrekt, jo profesional, jo etik për një deputete të Parlamentit të Kosovës.

Shih për këtë, më e ndershme do ishte nga ana Juaj që bashkëpartiakun Tuaj, z. Veliji ta këshillonit fillimisht për një kërkimfalje e mandej edhe për dorëzimin e detyrës së këshilltarit të Kryeministrit Hoti,  si akt moral dhe etik.

Së fundmi, PSHDK i bën thirrje Kryeministrit të Republikës së Kosovës, për shkarkimin e z. Veliji.

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.