Kosova

PShDK dënon gjuhën linçuse të Këshilltarit të Hotit, ndaj Sekretarit të saj – Emanuel Demaj

Nëpërmjet një reagimi publik, Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PShDK), ka reaguar ndaj gjuhës linçuese të Almir Velijit, këshilltar i Kryeministrit Avdullah Hoti, në adresë të Sekretarit të saj Emanuel Demaj – raporton Kosova.info

Ja reagimi i plotë:

Gjuha linçuese, përjashtuese, anatemuese dhe përgjithësisht: nxitëse e urrejtjes, ka qenë përherë e papranueshme nga ana e Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PShDK).

Ne kemi reaguar përherë publikisht kundër këtyre sjelljeve agresive, pa çka që kanë qenë të manifestuara vetëm në mënyrë verbale. Nuk jemi kursyer, pavarësisht se nga kush është vënë në përdorim kjo lloj gjuhe, nga zyrtarë të lartë shtetëror, politikanë të njohur, apo më pak të njohur për opinionin publik.

Përhapja e shpejt e këtij fenomeni, po merr përmasa shqetësuese. Dy rastet e fundit, ku cak i sulmit ishte Sekretari i PSHDK-së Emanuel Demaj, tregon se manifestimi i fenomenit në fjalë po bëhet gjithnjë e më i egër.

Është po ashtu e çuditshme që sulmi i tij ka gjetur strehë edhe në murin e llogarisë së deputetes Duda Balje. Çudia bëhet edhe më e madhe kur ajo vet është Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione…

Andaj, reagimi ynë, me këtë rast, është i qartë: kërkojmë nga Kryeministrit Avdullah Hoti të veprojë pa u hamendur. Ai duhet të marr masa të menjëhershme ndaj këshilltarit të tij, i cili i ka bërë këto shkelje flagrante, duke përdorur një gjuhë të papranueshme – ofenduese ndaj tërë komunitetit katolik.

Ai duhet të jetë i ndërgjegjshëm për faktin se PShDK ka qenë një ndër bashkëudhëtaret herake të LDK-së, që në krye të herës (që nga viti 1990).

 Ai duhet të jetë i ndërgjegjshëm që PSHDK-ja është parti kombëtare e qendrës së djathtë, dhe jo “KATOLICKA PARTIJA” siç e quan këshilltari i tij Almir Veliji.

Ai nuk guxon të sinkronizohet me vartësit e tij, që dalin të jenë shpërdorues të pozitave zyrtare, respektivisht shkelës të të drejtave dhe lirive të njeriut.

PShDK duke respektuar çdo komunitet, pa ofenduar askënd, as deputetët e komuniteteve, as Grupin parlamentar 6+, dhe duke e ditur rolin e rëndësishëm të tyre në kuadër të zhvillimeve demokratike dhe shtetit të së drejtës, bën thirrje për t’i dhënë fund gjuhës së urrejtjes, sjelljeve agresive dhe pret nga përfaqësuesit e komunitetit boshnjak dhe goran të distancohen nga gjuha e urrejtjes së këshilltarit të Kryeministrit Hoti.

Sepse, e përsërisim: ai ka përdorur një gjuhë linçuese dhe fyese ndaj sekretarit të PSHDK-së, Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës dhe ndaj gjithë komunitetit katolik.

Pavarësisht dallimeve etnike, fetare, kulturore e politike, të angazhohemi më shumë dhe më seriozisht për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet shoqëria. Të përpiqemi t’ia përmirësojmë jetën dhe mirëqenien qytetarit, e mos ta ofendojmë e fyejmë njëri tjetrin. Kosova është një shtet multietnik, këtë s’mund ta ndryshojmë ne. Por e rëndësishme është se përherë janë respektuar të drejtat e pakicave kombëtare, racore e fetare.

Zyra për Informim e PSHDK-së

08.07.2020 Prishtinë

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.