Pse vizita e mundshme e Pelosit në Tajvan shkakton tensione?

Associated Press

Pekini ka paralajmëruar se do të përgjigjet me forcë, nëse kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi, realizon vizitën në Tajvan.

Kina pretendon se ky ishull, që është një demokraci vetëqeverisëse, është territor i saj.

Pelosi, e dyta në radhën e Presidencës amerikane, do të ishte politikania e rangut më të lartë të SHBA-së që viziton Tajvanin që nga viti 1997.

Kina ka kërcënuar me “masa të ashpra dhe të forta” – por pa i specifikuar më shumë – nëse vizita bëhet. Këto kërcënime, sipas analistëve, mund t’i rrisin tensionet në Tajvan.

Përse do Pelosi ta vizitojë Tajvanin?

Pelosi ka qenë një kritike e ashpër e Kinës gjatë më shumë se tri dekadave të saj në Kongres – dikur ka shpalosur një pankartë të sheshit Tiananmen të Pekinit, që përkujtonte të vrarët nga regjimi në një protestë pro-demokracisë, më 1989.

Ajo ka qenë, po ashtu, mbështetëse e fuqishme e protestave pro-demokracisë të vitit 2019 në Hong Kong – çfarë e ka bërë atë objektiv të kritikave nga Pekini.

Tajvani gëzon mbështetje të fortë dypartiake në Kongresin amerikan. “Është e rëndësishme për ne që të tregojmë mbështetje për Tajvanin”, ka thënë Pelosi javën e kaluar.

Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, ka sfiduar kërcënimet e Pekinit dhe administrata e saj ka mbështetur vlerat thelbësore demokratike, përfshirë miratimin e martesave të çifteve me gjini të njëjtë dhe një rrjet të fortë të sigurimeve sociale.

Pse do të shkaktonte vizita rritje tensionesh?

Kina e konsideron Tajvanin si territor të sajin. Ajo thotë se ai do të aneksohet me forcë nëse është e nevojshme. Përforcimi i saj ushtarak, viteve të fundit, është orientuar në masë të madhe drejt një misioni të tillë.

Pekini i kundërshton të gjitha kontaktet zyrtare midis Taipeit dhe Uashingtonit dhe kërcënon vazhdimisht me hakmarrje.

Këtë herë, rreziqet duken më të mëdha.

Kina ka nisur stërvitje ushtarake dhe ka hedhur raketa në ujërat afër Tajvanit, në përgjigje të një vizite në ShBA të presidentit të Tajvanit, Lee Teng-hui, më 1995. Por, aftësitë e saj nga ajo kohë kanë avancuar me të madhe.

Ekspertët thonë se nuk ka gjasa që Kina të përdorë forcë për të penguar uljen e aeroplanit të Qeverisë amerikane në Taipei, por reagimi i saj mbetet i paparashikueshëm.

Stërvitjet kërcënuese ushtarake dhe inkursionet e anijeve dhe avionëve konsiderohen si skenarë të mundshëm.

Përse koha është ndjeshme?

Administrata e presidentit të ShBA-së, Joe Biden, i cili do të bisedojë me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, të enjten, dëshiron të ruajë një nivel të barabartë marrëdhëniesh me Kinën.

Pelosi ka planifikuar vizitën në Tajvan në prill, por e ka shtyrë pasi është infektuar me COVID-19. Ajo ka refuzuar të flasë për planet për të udhëtuar në Tajvan në ditët e ardhshme, ashtu siç është raportuar në media.

Vizita mund të përkojë me festimet e Kinës më 1 gusht, për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare Popullore, që është krahu ushtarak i Partisë Komuniste në pushtet.

Një reagim më i fortë i Kinës mund të nxitet gjithashtu nga dëshira e Xisë për të forcuar kredencialet e tij nacionaliste, përpara një kongresi të partisë që do të mbahet këtë vit. Në këtë ngjarje, ai pritet të kërkojë mandatin e tretë pesëvjeçar si president.

Cili është qëndrimi i Tajvanit ndaj vizitës?

Tsai i ka mirëpritur të gjitha personalitetet e huaja nga ShBA-ja, Evropa dhe Azia, qofshin në shërbim apo në pension.

Megjithatë, retorika e saj në ato takime ka qenë e butë, duke reflektuar sjelljen e saj të qetë dhe ndoshta një dëshirë për të mos zemëruar Kinën edhe më shumë. Kina është partnere e rëndësishme ekonomike e Tajvanit – rreth një milion tajvanezë banojnë atje.

Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, së bashku me një grup senatorësh amerikanë në Taipei më 15 prill 2022.
Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, së bashku me një grup senatorësh amerikanë në Taipei më 15 prill 2022.

Kryeqyteti Taipei ka organizuar një stërvitje të mbrojtjes civile të hënën, ndërsa Tsai ka ndjekur stërvitjet vjetore ushtarake të martën. Megjithatë, nuk është bërë asnjë lidhje e drejtpërdrejtë e tyre me vizitën e mundshme të Pelosit.

Publiku tajvanez i kundërshton kërkesat e Kinës për bashkim, por aftësia e ushtrisë së ishullit për t’u mbrojtur kundër Ushtrisë Çlirimtare Popullore, pa ndihmën e SHBA-së, është shumë e diskutueshme.

Duke folur të martën gjatë stërvitjeve, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes në Tajvan, Sun Li-fang, ka thënë se ushtria po i monitoron të gjitha lëvizjet e anijeve luftarake dhe të avionëve kinezë rreth ishullit.

“Në të njëjtën kohë, ne kemi besim dhe aftësi për të garantuar sigurinë e vendit tonë”, ka thënë ai.

Go to TOP