Kombëtare

Pse sipas VV-së, vendimi i Kushtetueses për t’i dhënë tokë Manastirit të Deçanit është i papranueshëm e i gabuar

Lëvizja Vetëvendosje, Dega në Deçan, ka reaguar pas vendimit të fundit që mori Gjykata Kushtetuese, që Komuna e Deçanit të bartë në pronësi të Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë të ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria”.

Lëvizja Vetëvendosje, thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që konfirmon marrëveshjet anti-shqiptare të Millosheviçit, për Deçanin është i papranueshëm.

“Tre vjet pas vendimit të padrejtë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ndërrmarrjet shoqërore “Iliria” dhe “Apiko” Zyra e BE-së në Kosovë ka kërkuar zbatimin e këtij vendimi. Ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi kundërshtuar vazhdimisht faljen e qindra hektarëve përreth Manastirit të Deçanit, ndër to edhe 24 hektarë të këtyre dy ndërmarrjeve”, thuhet në reagimin e tyre.

Vetëvendosje, thotë se vendimet e kohës së Millosheviçit e pastaj ato të UNMIK-ut kanë dërguar në marrjen e një vendimi nga vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës për shpronësim të këtyre dy ndërrmarrjeve shoqërore.

“Historiku i këtij konteksti fillon në kohën kur kishim një trajtim të dhunshëm nga ana e Serbisë si dhe një administratë po aq të dhunshme që nxjerrte vendime ligjore që si duket do vazhdojnë të na ndjekin edhe tani njëzet vite pas luftës. Duke u bazuar në “Marrëveshjen e dhurimit” të datës 5 nëntor 1997, pra të kohës së paraluftës, UNMIK-u e pastaj edhe vetë institucionet tona e trajtuan këtë lëndë duke i njohur dokumentet e asaj kohe, e si përfundim edhe marrjen enjë vendimi i cili, po ashtu, është hallkë e kësaj padrejtësie”, thuhet tutje.

“Mospërfaqësimi i drejtë ligjor dhe moszbatueshmëria e afateve kohorë për paraqitjen e provave e pastaj të ankesës, sigurisht që ka sjellë para një vendimi kaq të dëmshëm. Por pranimi i këtij vendimi është hapi më i gabuar që mund të merret në këtë kohë. Zyra e UNMIK-ut, pas luftës, dhe tani zyra e BE-së nuk do të duhej ta legjitimonin e tani edhe ta kërkojnë aplikimin e një vendimi që ka bazë në kohën kur të gjitha tokat e Kosovës ishin nën pushtimin serb. Ne ju bëjmë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore e ndërkombëtare që kanë qenë të përfshira në këtë çështje, e posaçërisht komunës së Deçanit, që tokat e qytetarëve të Deçanit të qëndrojnë të paprekura dhe mos të përfundojnë si pjesë e pazareve, as ne tavolina lokale, por as në ato shtetërore e ndërkombëtare”, përfundon reagimi nga Lëvizja Vetëvendosje, Dega në Deçan.

Leave a Reply

Your email address will not be published.