KULTURË

Pse mbeti pa ngrohje amfiteatri i Bibliotekës Universitare

Amfiteatri i Bibliotekës Universitare nuk ka pasur ngrohje për disa ditë. Për pasojë, shumë studentë nuk e kanë shfrytëzuar atë, raporton KTV.

Një prishje në sistemin e ngrohjes në Bibliotekën Universitare, ka bërë që kjo e fundit të mos frekuentohet shumë nga studentët.

Sipas studentëve, është e pamundur të mësohet në të ftohtë e pa ngrohje.

Amfiteatri i kësaj biblioteke ka qenë në gjendje edhe më të keqe.

Gjatë së mërkurës, kur disa studentë po ushtronin në këndim, ishin të veshur me rroba më të trasha që ta përballojnë të ftohtit.

Prorektori i UP-së, Dashamir Bërxulli, tha se tashmë e kanë paraqitur këtë problem në ngrohtoren e qytetit në Termokos.

Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësja e Termokosit ka treguar se gjatë së mërkurës është sanuar problemi.

“Ekipi ynë ka konstatuar se për shkak të një problemi teknik, përkatësisht si pasojë e djegies së një pompe, janë shkaktuar problemet në furnizimin me ngrohje. Problemi është evituar në orët e paradites, ndërkohë që ka vazhduar furnizimi i rregullt me ngrohje edhe për këtë objekt të kampusit universitar”, thotë Afërdita Uka, zëdhënëse e Termokosit.

Të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës janë të kyçura në ngrohtoren e qytetit.

Sipas zyrtarëve të UP-së, deri tash nuk kanë pasur telashe me ngrohjen.