SPORT

Pse Haaland e refuzoi Manchester United?

Ish-futbollisti norvegjez, Jan Age Fjortoft, beson se Erling Haaland e mori vendimin e duhur kur e refuzoi ofertën për t’u transferuar në Manchester Unitedi, pasi që beson se Dortmundi është vendi më i mirë për të për momentin.

Sulmuesi norvegjez iu bashkua klubit të Bundesligës muajin e kaluar dhe e ka dëshmuar veten menjëherë, me 12 gola të shënuara në 11 ndeshjet e zhvilluara deri më tani .

Kjo formë e mirë e Haalandit vetëm sa e ka theksuar dështimin e Manchester Unitedit për ta transferuar adoleshentin, përkundër nevojës së madhe të klubit për një qendërsulmues.

Duke folur për transferimin e tij në Dortmund nga Red Bull Salzburgu muajin e kaluar, Haaland i kishte mohuar lajmet që sugjeronin se klubi anglez u tërhoq nga tentimi për ta transferuar norvegjezin për shkak të kërkesave të tij të shumta.

Përkundër që sapo është transferuar në Dortmund, spekulimet për transferimin e tij në Manchester United apo Real Madrid nuk janë ndalur. Por, Fjortfort beson se Dortmundi ishte opsioni më i mirë për këtë fazë të karrierës së sulmuesit.

“Ai është i pabesueshëm. Unë luajta me babanë e tij, gjë që më bën të ndihem i vjetër. Ata e kanë planifikuar karrierën e tij në mënyrë të mrekullueshme”, ka thënë Fjortoft.

“Ai është nga një klub në Norvegji të quajtur Bryne, pastaj shkoi në Molde që është klubi më i mirë në Norvegji për zhvillimin e lojtarë të rinj dhe e kishte trajnerit Ole Gunnar Solskjaerin”.

“Ai kishte oferta nga Evropa, përfshirë këtu Juventusi, që s’është vend i keq. Pastaj shkoi në Salzburg sepse ndiente se ishte vendi më i mirë për të për t’u zhvilluar si lojtar. Ai bëri punë të mrekullueshme në Ligën e Kampionëve, siç e pamë”.

“Ai kërkohej nga klube nga e gjithë bota. Solskjaer shkoi me helikopter privat në Salzburg për ta bindur atë të shkojë në Manchester United, por ai shkoi në Dortmund sepse ai ishte vendi më i mirë për të për t’u zhvilluar edhe më tutje si lojtar”.