SPORT

Pse është i shqetësuar Deschamps?

Trajneri i ekipit kombëtar të Francës, Didier Deschamps, e ka përkrahur vendimin për t’i dhënë fund sezonit 2019/20 të Ligue 1 shkaku i përhapjes së koronavirusit në botë, duke insistuar se ligat e tjera po e rinisin sezonin vetëm shkaku i përfitimeve financiare.

Pas udhëzimit nga qeveria, Liga e Futbollit Profesionist në Francë (LFP) mori vendim për t’i dhënë fund para kohe sezonit aktual në Ligue 1 dhe vendosi që ta shpallë kampionin në bazë të pikëve të fituara nga ndeshjet e zhvilluara deri para suspendimit.

Jo të gjithë janë pajtuar me këtë vendim të Federatës franceze, pasi që Lyoni ka bërë të ditur se do të ngre padi, pasi që beson se sezoni mund të kishte rinisur, ashtu siç po planifikojnë të bëjnë La Liga dhe Premierliga, përderisa Bundesliga tashmë veçse ka rinisur.

Pasi që edhe Serie A synon ta rinisë sezonin aktual, Ligue 1 mund të mbetet liga e vetme e madhe evropiane që nuk e përfundon sezonin aktual në fushën e lojës – vendim ky që Deschamps e vlerëson si të duhurin.

“Nuk dua të gjykoj, godas apo fajësoj. Kriteret për izolim nuk janë të njëjta për të gjithë. Unë e kam shikuar Bundesligën që nga rinisja e ndeshjeve në Gjermani. Natyrisht që duket si futboll, s’do të flas për shpejtësinë apo intensitetin e ndeshjeve, mirëpo disa imazhe nuk më duken koherente”, ka thënë Deschamps.

“Unë i shoh lojtarët duke luajtur me të gjithë elementet e futbollit, me kontakt mes vete dhe ndërhyrje. Pastaj i shohim lojtarët në stol të ulur me na dy metra ndërmjet njëri-tjetrit dhe me maska në fytyrë”.

“Në futboll, rinisja e ligave po bëhet si përgjigje ndaj problemeve ekonomike. Shikojini vendimet e marra në Spanjë dhe Angli. Këto dy vende të mëdha të futbollit janë duke planifikuar rinisjen e ligave, por ata nuk kanë vendosur t’i rinisin kampionatet e grave, që sjellin më pak përfitime. Kjo të tregon gjithçka që duhet ta dish”. 

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483