OPINION

Pse e kundërshtoj dhe kritikoj Albin Kurtin?

Shkruan: Gëzim KELMENDI
Gjatë dy mandateve të mia si deputet në Kuvendin e Kosovës kam pas raporte të mira me Albin Kurtin.

As atëherë dhe as tani nuk e kam fyer apo ofenduar.

Por ne jemi rival politik dhe është normale që ta kritikojmë njëri tjetrin kur mendojmë se kemi të drejtë.

Pse filloi kundërshtimi apo mospajtimi im me Albin Kurtin?

1. Në vitin 2011 deputetët e VV-së në krye me Albin Kurtin nuk na mbështetën në amendamentet e propozuara për mbulesën dhe edukatën fetare( dolën nga salla e seancës plenare).

2. Në vitin 2013 imami i nderuar dhe i respektuar në vendin tonë Hoxhë Irfan Salihu u “persekutua” padrejtësisht nga opinioni politik dhe jopolitik.

Pjesë e këtij persekutimi ishte edhe VV-ja në krye me Albin Kurtin.

Grupi i grave deputete kishin shkuar në BIK për ta takuar Myftiun Tërrnava.

Pjesë e këtij grupi ishin edhe përforcimet nga gjinia mashkullore.

VV-ja i kishte siguruar mbështetjen e grave deputete me shefin e grupit parlamentar Glauk Konjufcën.

Qëllimi i vizitës së tyre në BIK kishte një kërkesë ” ndëshkimin e Hoxhës së nderuar Irfan Salihut”.

3. Në vitin 2014 deputetët e VV-së në krye me Albin Kurtin u bënë bashkë me deputetët e PDK-së dhe votuan ligjin që kufizon “ezanin”. Në atë ligj “ezani” cilësohej si zhurmë akustike. Në atë kohë PDK-ja ishte pjesë e pushtetit dhe kryeministër ishte Hashim Thaçi. Çdo ligj që vinte nga qeveria Thaçi në Kuvend, kundërshtohej nga VV-ja, por ligji kundër “ezanit” i bëri bashkë VV-në dhe PDK-në.

4. Lufta kundër islamofobisë. Në paraqitjet publike Albin Kurti ka deklaruar se do ta luftoj islamofobinë. Por islamofobët më të mëdhenj të Kosovës në krye me Sadri Ramabajën janë në VV. Sadri Ramabaja si kandidat për deputet nga VV-ja me 2017 pati fyer myslimanët dhe fenë Islame në Muajin e Bekuar të Ramazanit. Sadri Ramabaja aktualisht është duke u akuzuar si pjesëmarrës i organizatës terroriste “Syri i Popullit”. Dhe Albin Kurti si lider i VV-së i jep mbështetje të fuqishme Sadri Ramabajës.

5. Ndryshimi i qëndrimit për bashkimin kombëtar. Në fillim të paraqitjes së tyre publike, VV-ja kërkonte në vazhdimësi bashkim kombëtar. Por me kalimin e kohës kjo kërkesë e tyre u zbeh dhe tani nuk mbështetet fare.

6. Ndryshimi i qëndrimit për bisedimet me Serbinë. Prej paraqitjes së tyre publike, VV-ja ka kundërshtuar bisedimet me Serbinë. Në emër të këtij kundërshtimi kanë zhvilluar protesta me pasoja në njerëz edhe nga protestuesit dhe nga policët dhe dëmtime të pronës publike.

Ndërsa sot kandidati për Kryeministër Albin Kurti deklaron:” në fillim të mandatit tim si kryeministër do të takohem me zëvendësin e Mogherinit për të filluar bisedimet me Serbinë.

Përveç kësaj zyrtari i lartë i VV-së Xhelal Sveçla ende pa e marrë pushtetin takohet në Tiranë me Marko Gjuriqin e qeverisë së Serbisë.

7. Futja e edukatës seksuale në shkolla. Me propozimin e deputetes së VV-së Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, edukata seksuale është përfshirë në korrikulën arsimore për shkollimin fillor.

8. Ndryshimi i qëndrimit për AAK-në. Në mandatin 2010-2014 deputetët e VV-së kishin akuzuar AAK-në për shumë gjëra të këqija pas luftës, por në mandatin 2014-2017 bëhen bashkë me AAK-në në të ashtuquajturin ” blloku VLAN” që ishte nominuar Ramush Haradinaj për kryeministër.

9. Nryshimi i qëndrimit për LDK-në. Në mandatin 2014-2017 kur kryetari LDK-së Isa Mustafa prishi “bllokun VLAN” dhe u bë kryeministër, VV-ja në krye me Albin Kurtin shpërthyen në akuza, fyerje, sharje, shpifje, gjuajtje me vezë e molotov në drejtim të qeverisë Mustafa. Kryeministrit Isa Mustafa i thanë argat i Serbisë, vrasës i Astrit Deharit, hajn me 50 dosje në prokurori dhe të tjera.

Ndërsa në këtë mandat Albin Kurti e cilëson Profesor Isa Mustafën si shpëtimtar të Kosovës dhe koalicionin me LDK-në e quan koalicion të shpresës.

10. Heqja e taksës 100% për produktet e Serbisë. Përderisa në të kaluarën VV-ja ka bërë thirrje për bojkot të produkteve nga Serbia, tani Albin Kurti thotë se në fillim të mandatit si kryeministër do ta heqë taksën 100% për produkte nga Serbia.

11. Mosnjohja e shtetit të Kosovës. Prej kur Kosova ka shpallur pavarësinë e deri me datën e zgjedhjeve të fundit 6 tetor 2019, VV-ja në krye me Albin Kurtin nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Prej 6 tetorit, Albin Kurti e njeh shtetin e Kosovës.

Këto ishin disa nga arsyet pse unë e kundërshtoj dhe e kritikoj VV-në në krye me Albin Kurtin.

Për fund kam një porosi dhe një kërkesë për kandidatin për kryeministër Albin Kurtin.

Porosia është: derisa jemi në politikë është normale ta kritikojmë dhe kundërshtojmë njëri tjetrin.

Dhe unë gjithmonë do të kritikoj dhe kundërshtoj aty ku mendoj se ke gabuar.

Por kurrë nuk do të ofendoj, shaj, fyej, sulmoj dhe shpifi ashtu si ti ke bërë me rivalët e tjerë politik.

Kërkesa ime për juve i nderuar kryetar i VV-së dhe kandidat potencial për kryeministër Albin Kurti:

Pranoje ekzistencën e ZOTIT. Mos e moho ekzistencën e ZOTIT. Edhe pse në paraqitjet e juaja publike mundohesh me diplomaci të iu përgjigjesh pyetjeve se a beson në ZOT.

Por edhe unë, edhe shumë të tjerë e dimë që ti nuk e beson ZOTIN.

Kosova është një shtet me mbi 99% besimtarë të ndryshëm ( mysliman, katolik dhe ortodoks) dhe një kryeministër që nuk e beson ekzistencën e ZOTIT, i lëndon ndjenjat e qytetarëve të Kosovës.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.