Kosova

PSD: Ndërhyrja e Haradinajt në arsim, e papranueshme

Partia Socialdemokrate sot përmes një konferencë për medie është deklaruar rreth vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mos akreditimin e tri universiteteve publike për vitin akademik 2019/2020.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Arsim, deputeti i PSD-së, Driton Çaushi, theksoi se vendimi për mos akreditimin e universitetit publik të Pejës, Prizrenit e Mitrovicës, është vendim i një institucioni të pavarur dhe sulmet ndaj tij janë të papranueshme dhe ndërhyrje direkte në punën e këtij organi.

“Kemi pasur disa qëndrime të papranueshme dhe sulme ndaj një institucioni që gëzon mandat nga Kuvendi i Kosovës. Ne si PSD kemi ftuar një zgjedhje urgjente të Komisionit Parlamentar për Arsim për të diskutuar për këtë çështje. Ne e konsiderojmë të papranueshme dhe e dënojmë këtë ndërhyrje brutale ndaj institucionit të pavarur të KShC-së. Kryeministri, ministri e të tjerë e kanë sulmuar publikusht këtë institucion. Kjo është ndërhyrje e rrezikshme në sistemin arsimor”, ka thënë Çaushi.

Ndërsa Adea Batusha, anëtare e kryesisë së PSD-së bëri thirrje që niveli politik të mos ndërhyj dhe të mos e rrezikoj arsimin në Kosovë.

“Ndërhyrjet e pakontrolluara nga aparati shtetëror po krijojnë probleme të mëdha. Universitetet nuk po mbërrijnë ti plotësojnë kriteret për akreditim. Në vazhdën e ndërhyrjeve dhe ngatërrimit të politikës me arsim, kryeministri reagoi duke thënë se do të marrin hapa të shpejtë për ta zgjidhur këtë çështje, kjo është e papranueshme. Bëjmë thirrje të mos ndërhyhet në arsimin e lartë në Kosovë”, ka thënë ajo.