Kosova

PSD me peticion për faljen e gjobave të qytetarëve gjatë pandemisë

Partia Socialdemokrate sot ka mbajtur një konferencë për media ku ka njoftuar se ka nisur një peticion për krijimin e një projektligji për faljen e gjobave të shqiptuara ndaj qytetarëve, gjatë pandemisë COVID-19, raporton Express

Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Dren Kukaj, ka deklaruar se lidhur me këtë projektligj është njoftuar edhe sekretaria e Kuvendit të Kosovës.

Ne në kuadër të Ligjit për Nisma Legjislative, e kemi shqyrtuar mundësinë dhe e kemi njoftuar zyrtarisht sekretarinë e Kuvendit që e kemi përpiluar një projektligj që e kemi titulluar Projektligji për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së pandemisë COVID-19”, ka thënë Kukaj. 

Kukaj deklaroi se nga ky Ligj parashihet të përfitojnë qytetarët dhe bizneset e mesme dhe të vogla.

Gjithashtu i kemi përpiluar edhe dokumentacionet tjera përcjellëse të nevojshme për një projektligj, mirëpo ajo çfarë është e rëndësishme të dihet për opinionin është ajo se subjektet përfituese të këtij Ligji janë gjithë qytetarët e Kosovës ndaj të cilëve janë shqiptuar masa në kuadër të ligeve ekzistuese për menaxhimin e pandemisë, përkatësisht janë të gjithë personat fizik, por edhe personat juridik, përkatësisht bizneset e mesme dhe të vogla, ndonëse i kemi përjashtuar nga aplikimi i këtij Ligji partisë politke të cilat kanë marrë masa gjatë fushatës zgjedhore”, ka deklaruar Kukaj. 

Ai tha se PSD ka për synim mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, për ta vendosur në rend dite në Kuvendin e Kosovës këtë projektligj. 

“Periudha kohore që e kemi paraparë në këtë Ligj është nga 14 marsi i vitit të kaluar deri më 15 maj të këtij viti. Synojmë që përmes një peticioni të arrijmë shifrën prej 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve asisoj që këtë projektligj ta vendosim në rend të ditës në Kuvend të Kosovës dhe shpresojmë se atje të marrë miratimin dhe qytetarëve që kanë marrë masa ndëshkimore të iu falen”, ka thënë Kukaj./GazetaExpress/