Kosova

PSD: Konflikti Thaçi – Kurti është për rolin qendror se me kë punojnë amerikanët

Partia Socialdemokrate përmes një komunikate për media ka thënë se konflikti ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Albin Kurti është për të marrë rolin qendror se me kë punojnë amerikanët.

Kurti sot ka publikuar një marrëveshje të vitit 2013 ndërmjet Thaçit dhe KFOR-it, me të cilën pretendon se presidenti ka bërë shkelje kushtetuese që në emër të Kosovës e barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.

“Kryeministri Kurti sot paska zbuluar një marrëveshje sekrete midis Hashim Thaçit, atëherë kryeministër, dhe Sekretarit të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Marrëveshja sanksionon operimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të vendit. Sipas saj, FSK do të shkojë në këtë pjesë të territorit vetëm pas koordinimit me KFOR-in. Nëse, letërkëmbimi Thaçi-Rasmussen e ka statusin e marrëveshjes ndërkombëtare, atëherë kjo marrëveshje përbën shkelje e Kushtetutës”, thotë PSD.

PSD-ja shton se deri më tani Qeveria e re nuk ka marrë qëndrim tjetër karshi rolit të forcave të armatosura të Kosovës në veri.

“Veç kësaj, Kurti nuk po insiston as në vlerësimin e kushtetutshmërisë së saj. Nga çfarë kuptuam prej konferencës së jashtëzakonshme, denoncimi i tij ishte veprim transparence. E përgëzojmë për këtë”, thotë PSD.

E kjo, sipas PSD-së, nuk duhet të ndalet vetëm me grindjen mediatike ndërmjet Thaçit e Kurtit.

“Nëse marrëveshja përbën shkelje kushtetuese, konsekuencat duhet të ndiqen deri në fund. Ky denoncim nuk duhet të ndalet vetëm me grindjen personale e sulmin mediatik ndaj Thaçit. Marrëveshja duhet të shkojë në Gjykatë Kushtetuese për interpretim, e Kurti si kryeministër duhet ta anulojë atë”, thuhet në komunikatë.

PSD-ja thekson se ky konflikt ndërmjet Thaçit e Kurtit është për të marrë rolin qendror në raportin me ShBA-në.

“Kurti e ka ndryshuar dukshëm qëndrimin e tij karshi dialogut me Serbinë pas konferencës së Mynihut. Kjo sepse aty është kuptuar që përveç Kryeministrit Kurti, pjesë e këtij dialogu do të jetë edhe Presidenti. Është kuptuar që ai nuk po mënjanohet dot. Pa këtë kontekst, letra si e vetme duket absurde. Nëse nuk e kërkon shkarkimin, as nuk e gjykon si të dëmshme përmbajtjen e marrëveshjes, si arsyetohet urgjenca e lajmit e konferenca e jashtëzakonshme. Në fakt, konflikti Thaçi-Kurti është konflikt për rolin qendror bashkëpunues. Me kë punojnë amerikanët, kjo është çështja-kjo është lufta”, thotë PSD. /Kosova.info/