Kosova

PSD-ja: Albin Gashi i VV-së sulmoi fizikisht Frashër Krasniqin

Partia Socialdemokrate ka akuzuar ish-kandidatin e Vetëvendosjes për deputet, Albin Gashin, se ka sulmuar fizikisht anëtarin e PSD-së, Frashër Krasniqi.

Sipas një njoftimi për media, PSD-ja ka thënë se Gashi gjatë sulmit vazhdimisht ka sharë aktivistin tjetër të PSD-së, Nol Nushin.

“Albin Gashi, ish kandidati i VV- së për deputet dhe djali i Tomë Gashit, ka sulmuar fizikisht Frashër Krasniqin. Pa asnjë arsye dhe pa asnjë zënkë paraprake. I njëjti, duke sulmuar shante Nol Nushin. Sharjet masive, kërcënimet e linçimet janë mënyrë funksionimi e partisë në pushtet. Nevojitet pak gjë që kjo gjendje e dhunës të shndërrohet në manifestim konkret. Kur argumenti i vetëm është ai i numrave dhe i forcës, sigurisht se mujsharia është sjellja politike që pason. Kjo mënyrë e pushtetit të shkuar nuk supozohej me qenë pushteti i ri. Me këtë rast dhe rastet e ngjashme duhet të merret policia, por tejkalimi i kësaj gjendjeje është i mundur vetëm përmes demokratizimit të shoqërisë. Pengesa kryesore për këtë gjë sot është partia në pushtet”, thuhet në njoftimin e PSD-së.

KOHA ka provuar të flasë me Albin Gashin, por ai nuk është përgjigjur.

Ndërkohë, babai i tij, Tomë Gashi, ka thënë se nuk ka njohuri për rastin, derisa ka shtuar se “nëse do të ndodhte diçka e tillë, klienti (Frashër Krasniqi) ka pas mundësi të më njoftojë sepse jam avokat i tij”.

Edhe kontakti me Krasniqin ishte i pamundur.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.