KULTURË

Protestë në Prishtinë kundër ndarjes së Nobelit për Peter Handken

Akademia Suedeze e Shkencave sivjet shpërbleu me çmimin Nobel për Letërsi, autorin austriak Peter Handke, një mbështetës i gjenocidit dhe luftërave në ish-Jugosllavi nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit.

Ndarja e Nobelit për Handke u cilësua vendim skandaloz nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës por edhe nga njohës të letërsisë botërore.

Madje, sot në Prishtinë prej orës 11:00 pritet të mbahet protestë para Ambasadës së Suedisë, duke kërkuar anulimin e Nobelit për Letërsi 2019.

Anulimin e vendimit të Akademisë Suedeze e ka kërkuar edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si “akt mirëkuptimi e solidariteti me të gjithë popujt e botës që luftojnë për liri dhe vlera demokratike”.

AShAK është shprehur e zhgënjyer thellësisht me ndarjen e sivjetshme të çmimit Nobel për Letërsi për shkrimtarin austriak, Peter Handke.

Për ndarjen e Nobelit për Letërsi 2019, ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas të cilit, vendimi i Nobel ka sjell dhimbje të pamasë te viktimat e panumërta.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka reaguar duke thënë se Komiteti i Nobelit i ka dhënë çmimin njeriut të gabuar.

Ndërkaq, Komiteti 18-anëtarësh, përgjegjës për zgjedhjen e laureatëve të çmimit të madh letrar, është i prerë në vendimin e tij. “Nobeli” nuk tërhiqet. E kjo vlen edhe për rastin e Peter Handkes, që të enjten u shpall fitues.

Në një përgjigje ekskluzive për gazetën “Koha Ditore”, Mikael Östlund, menaxher i Marrëdhënieve me Publikun në fondacionin “Nobel”, ka thënë se Fondacioni nuk përzihet në punën e institucioneve të pavarura si Komiteti e nuk i komenton përzgjedhjet e laureatëve të “Nobelit”. Por as që mund të bëhet fjalë për tërheqjen e çmimit.

“Fondacioni ‘Nobel’ asnjëherë nuk komenton mbi përzgjedhjet e institucioneve të pavarura mbi laureatët e çmimit ‘Nobel’”, ka thënë ai. Transmeton Kosova.info.