Bota

Protestat për vdekjen e George Floydit zgjerohen përtej ShBA-së

Mijëra persona kanë protestuar nëpër rrugët e Evropës, në shenjë solidariteti me protestuesit kundër-racizmit në Shtetet e Bashkuara, të cilët për tetë net me radhë kanë kërkuar drejtësi për vdekjen e afrikano-amerikanit, George Floyd, pas presionit të bërë nga disa zyrtarë të bardhë policorë gjatë arrestimit.

Dhjetëra mijëra persona janë parë vetëm në rrugët e parkut Hyde të Londrës.

Ata janë parë duke marshuar edhe përgjatë sheshit të parlamentit britanik, të ulur me njërin gju, gjest i bërë fillimisht nga futbollisti amerikan, Colin Kaepernick, me qëllim të dënimit të brutalitetit të policisë kundër personave me ngjyrë.

Protestat në Londër janë zhvilluar disa orë pasi policia në Paris ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, që kanë shënuar vdekjen e 2016-të të një personi me ngjyrë të përfshirë në operacion policor.

Në qytetin holandez, Roterdam, policia u ka kërkuar shumë personave të kthehen nëpër shtëpitë e tyre pasi marshi ka qenë shumë i madh dhe për pasojë është pamundësuar mbajtja e distancës fizike, me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.

Protestat në Shtetet e Bashkuara kanë qenë paqësore në natën e 2 qershorit, pas vendosjes së kufizimeve në lëvizje në shumë qytete.

Ky vendim është marrë pas përshkallëzimit të dhunës më 1 qershor në territorin amerikan.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, ka thënë të mërkurën në një konferencë për media se inkurajon protestat paqësore, teksa ”vrasjen e George Floydit”, e ka konsideruar “krim të tmerrshëm”.

Esper ka thënë se kundërshton zbatimin e një ligji që i mundëson presidentit amerikan, Donald Trump, të angazhojë ushtrinë për të shpërndarë protestuesit, duke thënë se i njëjti duhet të shfrytëzohet në Shtetet e Bashkuara vetëm “si mjet i fundit dhe në situatën më urgjente ndonjëherë”.

“Ne nuk jemi në këtë situatë tani”, ka deklaruar mes tjerash Esper.

Zhvillimet e fundit vijnë pasi presidenti Trump ka shtuar presionin ndaj guvernatorëve, duke iu bërë thirrje që të angazhojnë Gardën Kombëtare.

Në të kundërtën, ai ka paralajmëruar se do të urdhërojë veprim ushtarak kundër trazirave dhe plaçkitjeve të lidhura me vdekjen e Floydit.