Kosova

Protestat pa rezultat, MKRS’ja fillon t’ia lëshojë vendin Presidencës

Protestat e punëtorëve të Ministrisë së Kulturës kundër zhvendosjes së administratës së kësaj ministrie nga objekti zyrtar në një objekt privat për t’i lëshuar vend Presidencës po rezultojnë pa sukses.

Kabineti i ministrit në largim të MKRS-së, tashmë janë duke përgatitur dokumentacionin dhe inventarin përkatës për zhvendosje në objektin privat.

Lajmi për këtë është bërë i ditur nga Këshilli Organizativ i Protestës, të cilët thanë se kjo gjë po bëhet pa asnjë procedurë administrative dhe në kundërshtim me ligjin.

“Është e pa precedent që pasuria e MKRS, po zhvendoset nga persona jo kompetent që më nuk kanë asnjë përgjegjësi institucionale dhe pa dijeninë e shërbimit te administratës. Kjo le të gjykohet vet nga opinioni se çfarë do të thotë”, thuhet në komunikatën e tyre.

Sipas tyre, veprimet e Ministrit në detyrë janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, meqenëse mandati i tij ka përfunduar më 27 nëntor 2019.

“Sipas listës zyrtare të KQZ-së, z. Gashi është zgjedhur deputet me çka i përfundon angazhimi në cilësinë e Ministrit në detyrë, sipas nenit 70 pika 2 e Kushtetutës së Kosovës në të cilën theksohet qartë se mandati i deputetit fillon me certifikimin e rezultatit zgjedhor ne lidhje me nenin 72 – papajtueshmëria e funksionit te deputetit. Për këtë gjë, jemi në dijeni se ekziston edhe interpretim juridik nga ana e Zyrës Ligjore të Zyre së Kryeministrit në vitin 2017. Çdo veprim i tij pas datës 27 nëntor 2019 është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.

Këshilli Organizativ i Protestës i ka bërë thirrje stafit të kabinetit të ministrit në largim që të ndalojnë çdo veprim që janë duke e ndërmarrë për zhvendosje.

“Kjo përbën veprim të kundërligjshëm i cili cenon pasurinë dhe pronën e institucionit pa mandat dhe pa autorizim, si persona privat qe është e vepër e dënueshme. Në të kundërtën, i bëjmë thirrje institucioneve përkatëse ligjzbatuese që sipas detyrës zyrtare (ex officio) të hetojnë dhe ndalojnë veprimet në fjalë”, thuhet në komunikatë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.