Kosova

Protesta para Apelit: Tasiq ma ka djegë babën, ju ia ulni dënimin

Familjarët nga Krusha e Vogël dhe e Madhe me fotografitë në dorë të familjarëve të vrarë të enjten kanë shkuar në kryeqytet pranë Gjykatës së Apelit për të protestuar kundër përgjysmimit të dënimit ndaj kriminelit të luftës, Darko Tasiq, të cilit iu zbrit dënimi nga 22 vjet në 11.

Para protestuesve doli edhe kryetari i Gjykatë së Apelit Hasan Shala dhe u kërkoi që të hynë brenda për të biseduar.

“Unë jam në krah të shqetësimeve tuaja. Ejani brenda një grup prej sa të doni vetave dhe ju jap çdo sqarim që është i nevojshëm. Edhe unë jam me popull. Do të publikohet aktgjykimi brenda një ore. Transparenca ka me qenë milimetrike”.

Protestuesit e refuzuan kërkesën e tij dhe iu drejtuan me akuza.

“Darko Tasiq ma ka djegë babën. I ka djegë eshtrat e të gjithë familjarëve tonë dhe i ka hedhë me kamion në lumin Drin”, i tha njëri nga protestuesit.
Për këtë, Shala kërkoi që t’ia vërtetojë.

Ndërkaq, Kryetar i këshillit të fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, ka thënë se avokatët dhe njerëzit e drejtësisë duhet t’i ndihmojnë familjarët për sigurimin e sa më shumë dëshmive dhe jo të marrin dënime të tilla, sipas tij, të vogla dhe qesharake.

“Hajdeni shihni varret tona, prova më të mëdha nuk ka”, tha ai.

Sipas pikës 1 të aktakuzës, Tasiq në Krushë të Vogël mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake. Ndërsa sipas pikës 2 të aktakuzës, ai akuzohej edhe me veprime të tjera si pjesëmarrje në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në lumin Drin.