Bota

Protesta në Izrael kundër planit të Netanyahut për aneksim

Mijëra qytetarë izraelitë kanë protestuar të shtunën kundër planit të kryeministrit Benjamin Netanyahu për të shtrirë sovranitetin mbi Bregun Perëndimor, de-fakto aneksimin e tokës të cilën palestinezët e konsiderojnë shtet.

Duke protestuar me maska dhe duke mbajtur distancën sipas rregullave kundër koronavirusit, protestuesit kanë brohoritur “jo aneksim, jo okupim, po paqe e demokraci”.

Palestinezët duan shtet të pavarur në Bregun Perëndimor, Jerusalemin lindor dhe në Rripin e Gazas, territore të cilat Izraeli i mori në luftën e Lindjes së Mesme më 1967, raporton Reuters.

Netanyahu ka caktuar 1 korrikun si datë për të nisur avancimin e planit të tij për aneksimin e vendbanimeve të Izraelit dhe Luginën e Jordanit në Bregun Perëndimor, duke shpresuar se do të marrë dritën e gjelbër nga Uashingtoni.

Presidenti amerikan Donald Trump në janar shpalosi një plan të paqes ku theksohej se Izraeli do të mbante vendbanimet e tij dhe palestinezët do të ndërtonin shtetin nën kushte të rrepta. Palestinezët kanë refuzuar propozimin.

Duke shprehur shqetësimet për dhunë, disa vende evropiane e arabe, bashkë me Kombet e Bashkuara, kanë kërkuar nga Izraeli të tërhiqet nga plani për aneksimin e vendbanimeve, që nga shumë shtete konsiderohen ilegale.