Kombëtare

Protesta në Gjakovë, kundërshtohet zgjerimi i rrugës kryesore

Zgjerimi i rrugës “Nënë Tereza” në qendër të qytetit të Gjakovës është pritur me protesta të përkrahura nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Alternativa. Por pavarësisht protestave dhe ankesave, kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini, ka thënë se projekti nuk do të ndalet.

Subjektet opozitare i ishin bashkuar bizneseve që sot dolën në protestë në ditën kur është planifikuar të nisin punimet për zgjerim dhe rregullim të rrugës. Ata janë ankuar se me zgjerimin nga dy korsi në një drejtim në tri e me dy drejtimet, do të zvogëlohet hapësira për këmbësorë e do të hiqen drunj përgjatë rrugës.

Megjithatë, kryetari i komunës, Gjini, ka thënë se projekti ishte pranuar fillimisht nga bizneset teksa ka akuzuar partitë opozitare se po pengojnë zhvillimin e komunës.

“Partitë opozitare duan të politizojnë gjithçka. Duan të detyrojnë njerëzit të bëjnë peticione. Provojnë t’i ndalin projektet. Asnjëherë s’kanë ardhur me propozim, por veç me pengim. Është projekt i gjithë qytetarëve. Është i jashtëzakonshëm. Kam pritur bizneset e janë pajtuar, ndërkohë kanë dalë asamblistë të opozitës e kanë shkuar dyqan për dyqan duke marrë 3-4 nënshkrime për një biznes. 270 biznese janë këtu e kanë sjellë 100 nënshkrime false. Po e pengojnë zhvillimin e komunës. Ka njerëz që s’duan të zhvillohet komuna e i duan vetëm të fituan zgjedhjet. Duhet dikujt t’i vijë turp. E ky projekt do të vazhdojë”, ka thënë ai para protestuesve.