KULTURË

Propozimi i Lahajt për sallën e koncerteve në Prishtinë

Tenori kosovar me famë botërore, Ramë Lahaj, ka dhënë një propozim për sallën e koncerteve në Kosovë.

Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se Kosova mund të rinovojë sallën e kuqe ose teatrin dhe atë hapësirë ta shndërrojë për shumë funksione.

“Nuk mundemi edhe 20 vjet pas luftës mos me pas sallë të koncerteve, teatër të renovuar e në kushte normale. Këto besoj se janë pjesë e pandashme e institucioneve të Kosovës. Kështu qe mendoj se jemi shumë vonë dhe nuk duhet të stagnojmë në këtë proces. Ka qenë temë një shtëpi e operës shumë e madhe, që i kushton shumë Kosovës jo vetëm për ndërtim, por edhe për mirëmbajtje. Jam i idesë që të rinovohet një hapësirë si salla e kuqe apo teatri i qytetit, apo një sallë tjetër që do të mund të ishte multifunksionale për baletin, teatrin e operën dhe për koncerte tjera muzikore”, ka thënë Lahaj.

Çka e bën të veçantë Ramë Lahajn

Tenori kosovar Ramë Lahaj, që po shijon suksese ndërkombëtare, ka thënë se ajo që e bën më të veçantë si artist është vendi ku ka lindur dhe periudha në të cilën është rritur.

Sipas tij, ardhja nga një vend si Kosova e bën edhe më shumë krenar e më të veçantë në mesin e kolegëve.

“Në intervistën time të fundit për BBC-në bashkë me maestron Placido Domingon gazetari më pyeti çka më bën të veçantë. I thash ndoshta e veçantë është që në fëmijërinë time, në periudhën që jam rrit në kohërat e vështira të regjimit të ish-Jugosllavisë, ndoshta jam një prej artistëve që si fëmijë s’kam pa filma të vizatuar, s’kam shkuar në çerdhe. Krejt kjo më bën më të veçantë e të ndihem më mirë. Këtë jam munduar ta shfrytëzoj si stimulim për gjeneratat e reja se nuk ka rëndësi ku je e se gjërat s’janë mirë tash. Mjafton të punosh e të vazhdosh ëndrrën përpara sepse besoj se me shumë punë s’ka rëndësi ku lind e ku je”, është shprehur Lahaj në Rubikon të KTV-së.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.