KULTURË

Promovohet libri monografik “Muharrem Qena – Ëndërrimtari”

Promovimi i librit monografik “Muharrem Qena – Ëndërrimtari”, një rrëfim origjinal i një udhëtimi të mrekullueshëm në jetën dhe krijmtarinë e njërit prej artistëve më të rëndësishëm shqiptar, z. Muharrem Qena, do të bëhet më 22 qershor 2021, prej orës 20:00 në Muzen Kombëtar të Kosovës, Prishtinë.

Monografia për artistin e jashtëzakonshëm Muharrem Qena përmbledh gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij artistike. I ndarë në 15 kapituj, ky libër paraqet rrugëtimin e tij  prej aktori, regjisori, dramaturgu,  kantautori e këngëtari të shumënjohur.

Qëllimi kryesor i këtij libri është të sjellë para jush karrierën artistike të Muharrem Qenës, e cila përfaqëson një pjesë vitale të trashëgimisë kulturore e shpirtërore të vendit tonë.

Nëpërmjet dokumentimit të rrëfimit të jetës dhe veprimtarisë së artistit Muharrem Qena, përmes materialeve të grumbulluara nga institucione të ndryshme,  intervistave me familjarë e bashkëpunëtorë të tij, dhe i pasuruar me fotografi të shumta nga arkivi i familjes,  libri nxjerrë në pah historinë krijuese të njërit prej artistëve më të famshëm dhe më kontributdhënës të krijimtarisë artistike shqiptare por edhe shpalos më për së afërmi pasionin e tij dhe dashurinë për art, jetë dhe vet natyrën e njeriut.

Dokumentimi i asaj që e ka karakterizuar një artist siç ka qenë Muharrem Qena, është paraqitur si histori e ndarë në kapituj, ku përfshihen aspektet e punës së tij krijuese, por është përshkruar edhe personaliteti i tij, i një njeriu të thjeshtë por njëkohësisht të jashtëzakonshëm, me qëllimin që publikut t’i prezantohet i gjithë mozaiku jetësor e artistik i tij.  Libri do të mbetet trashëgimi e institucioneve të vendit dhe brezave të rinj.

Promovimi i librit monografik “Muharrem Qena – Ëndërrimtari”, tenton që në mbrëmjen e 22 qershorit, të prezantojë në mënyrën më të mirë të mundshme tërë punën që është bërë për publikimin e këtij libri para familjarëve, miqve, artistëve e dashamirësve të artit.

Monografia “Muharrem Qena – Ëndërrimtari”, me autorë Arian Krasniqin dhe Arzana Krajën, është realizuar nga Integra me mbështetjen e Komunës së Prishtinës dhe nga Programi Kultura për Ndryshim që financohet nga Bashkimi Evropian, i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe i implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut. /Kosova.info/