Kosova

Prokuroria, specialiste e shfajësimeve

Shumë politikanë e drejtues institucionesh publike janë përfshirë në hetime, jo pse ka qenë vullnet i organit të akuzës për ta bërë këtë, porse veprimet e tyre janë denoncuar nga të tjerët, sidomos mediat.

Se hetimi i tyre është bërë për shkak të presionit publik, tregojnë statistikat. Të gjithë njerëzit e fuqishëm janë shfajësuar nga sistemi i drejtësisë, shkruan sot Koha Ditore.

“Garda” prej 14 prokurorësh specialë, të cilët shtetit i kushtojnë me paga mbi gjysmë milioni euro, nuk ia kanë dalë që për katër vjet të “dëshmojnë” fajësinë e asnjë zyrtari të lartë të akuzuar. Vitin 2019 kjo trupë e prokurorëve e ka mbyllur me vetëm një aktakuzë të korrupsionit të profilit të lartë.

Ndërsa, vitin 2020 Prokuroria Speciale e ka nisur me vlerësimin për joprofesionalizëm në njërën prej rasteve gjyqësore më të bujshme në Kosovë. Afera “Pronto”, e cila përfshinte njëmbëdhjetë të akuzuar, kryesisht përfaqësues të lartë të PDK-së, ka përfunduar me aktgjykim lirues për të akuzuarit. Barra e “përgjegjësisë” i ka rënë prokurores së rastit, për të cilën është thënë se ka dështuar të sjellë dëshmitarë dhe të faktojë dëmin e shkaktuar.

E “Pronto” është vetëm një në listën e gjatë të rasteve të hetuara nga kjo prokurori e që kanë pasur të njëjtin epilog.

Nga monitoruesit e sistemit të drejtësisë kjo konsiderohet e qëllimshme. Sipas tyre, Prokuroria e Shtetit është kthyer në një institucion që nis hetime më shumë për t’i shfajësuar politikanët me aktakuza të dobëta e të paargumentuara, sesa për të provuar përfshirjen e tyre në afera korruptuese.

Zvarritja e hetimeve, amnistimi nga hetimet i personave kyç, aktakuza të ndërtuara në mënyrë joprofesionale, përfaqësimet e dobëta që prokurorët i bëjnë në gjykatë, thonë ata e ka kthyer institucionin më të rëndësishëm të hetuesisë më shumë në “shpëlarës” të fuqishmëve të dyshuar për kriminalitet, sesa në ndjekës e argumentues të këtyre aferave.

Performancë e dobët edhe me tre mijë euro rrogë

Afro 2.500 euro është rroga e një prokurori special. Përveç pagës, secili nga ta merr shtesë edhe 400 euro çdo muaj në emër të rrezikshmërisë. Disa prej tyre shfrytëzojnë mbrojtje të afërt si masë sigurie.

Këta prokurorë, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, rrallë regjistrojnë rezultate për të cilat mund të mburren. Ngecjet janë evidente sidomos kur bëhet fjalë për hetimin e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483