SPORT

Prokuroria nis hetime të reja për shitjen e biletave në Tiks.app, kompania thotë se u sulmua

Të rrallë kanë qenë personat që kanë pranuar mesazhin për blerje të biletës për ndeshjen Kosovë-Angli.

Shumica kanë dështuar të blejnë një biletë, shkaku i problemeve me sistemin online të shitjes së biletave Tiks.app, raporton KTV.

Qytetarët e kanë parasysh që interesimi për një biletë të ndeshjes Kosova kundër Anglisë mund të jetë më i madh se për të tjerat ndeshje, megjithatë nuk i lënë anash as dyshimet për mundësinë e keqpërdorimeve.

Prodhuesit e produktit Tiks.APP janë arsyetuar me sulme kibernetike, çka e ka pamundësuar shitjen normale të biletave.

Megjithatë, ata nuk kanë lënë pa kritikuar edhe mediat e persona të ndryshëm që, sipas tyre, kanë publikuar materiale nxitëse që kanë ndikuar në tensionimin e situatës.

Gjithashtu, ata kanë bërë të ditur se në konsultim me Federatën dhe Policinë, do të njoftojnë për kohën se kur do të vazhdojë shitja, por një gjë e tillë, deri në transmetimin e kronikës, nuk ka ndodhur.

Prokuroria, edhe një herë tjetër, ka filluar të hetojë dyshimet e ngritura në publik.

Në një njoftim për media, Prokuroria ka njoftuar të ketë autorizuar Policinë e Kosovës që të fillojë me mbledhjen e informatave, ngjashëm siç kishte bërë edhe gati një muaj më herët, për ndeshjen Kosovë – Mali i Zi.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se ka autorizuar njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, në mënyrë që të verifikohen dyshimet e ngritura, si dhe për grumbullimin e të gjitha informatave lidhur me shitjen e biletave online për ndeshjen futbollistike të Kosovës me Anglinë. Sa për informatën tuaj, Prokuroria e Shtetit ka filluar hetimet që nga 15 tetori 2019, lidhur me shitjen e biletave online për ndeshjen futbollistike të Kosovës me Malin e Zi, gjë për të cilën është njoftuar opinioni publik dhe se tashmë hetimet janë duke vazhduar”, ka thënë Prokuroria e Shtetit.

Megjithatë, pyetjet e televizionit për rezultatet nga mbledhja e informatave për këtë rast, kanë mbetur pa përgjigje.

Kosova, pas ndeshjes me Çekinë që zhvillohet të enjten, pret Kombëtaren e Anglisë të dielën, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.