Kosova

Prokuroria kërkon paraburgim për sulmuesit e djalit të Nenad Rashiqit

Nikolla, djali i politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq është sulmuar dje nga afro 30 persona, përgjatë kohës kur ai po dilte nga shkolla në fshatin Llapnasellë të komunës së Graçanicës.

E për sulmin ndaj djalit të ish-ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, policia e Kosovës ka arrestuar tetë persona shkruan Gazeta Express.

Të dyshuarit me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë. E ndaj këtij incidenti Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet.

Rastin për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

Ndaj të dyshuarve, Prokuroria ka paraqitur edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. 

Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit ndaj 7 personave te dyshuar, për veprën penale ‘Pjesëmarrje ne rrahje’”, ka thënë Ulaj për Express. 

Sipas Ulajt, për kohëzgjatjen e paraburgim ndaj të dyshuarve pritet që të vendos Gjykata Themelore në Prishtinë. 

“Prokuroria kërkon masën e paraburgimit dhe gjykata është ajo qe vendose. Ne shumicën e rasteve gjykata shqipton masën e paraburgimit prej 30 ditësh, por është kompetence e këtij institucioni, ta aprovoj ose jo kërkesën e prokurorisë”, ka thënë më tutje ajo. 

Djali i politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq, është rrahur dje nga rreth 30 persona, teksa po dilte nga shkolla në Llapnasellë të Graçanicës, raporton Express.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh.

Sipas policisë, si pasojë e rrahjes, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Graçanicës.

Për këtë rast, deri tash janë arrestuar shtatë të dyshuar.

“Shkolla “Miladin Mitic”, 22.02.2021 – 10:30. Raportohet se ka ndodhur një rrahje masive në oborrin e shkollës, ku janë të përfshirë nxënësit e shkollës dhe disa persona të tjerë. Si pasojë e rrahjes, viktima mashkull kosovar ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Graqanicës. Janë arrestuar shtatë të dyshuar meshkuj kosovarë dhe me vendim të prokurorit të njëjti janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Për rastin është deklaruar edhe Nenad Rashiq. Rashiq ka thënë se djali i tij është sulmuar me boksa të hekurt e çekiç.

Rashiq sulmin ndaj djalit e ka lidhur me aktivitetin e tij politik.