Kombëtare

Prokuroria jep detaje për vrasjen në Vragoli të Fushë Kosovës

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ju njofton se pas pranimit të informatës nga policia për raportimin e një vdekjeje të dyshimtë në fshatin Vragoli-Fushë Kosovë, prokurorja kujdestare e Departamentit të Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me njësitë tjera relevante, ku aty është konstatuar një person (i gjinisë femërore) pa shenja jete.

Sipas dyshimeve fillestare nga kjo ngjarje dyshohet se viktima është privuar nga jeta nga motra e saj, e cila me urdhër të prokurores kujdestare është dërguar në mbajtje dhe ndaj të njëjtës do të ndërmerren masat e nevojshme brenda afateve ligjore. Ndërsa, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Prokurori i Shtetit, në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. ​ /Kosova.info/