Rajoni

Prokuroria heton furnizimet publike për spitalin e përkohshëm në Tetovë

Një javë pas zjarrit në spitalin COVID në Tetovë, që la të vdekur 14 persona, organet gjyqësore kanë nisur me hetimin e rastit, por ende pa epilog konkret apo pista të dyshimta mbi këtë fatkeqësi ku pësuan persona të sëmurë me koronavirus.

Prokuroria Publike për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, të enjten, më 16 shtator, ka pranuar dokumentacionin që ka të bëjë me furnizimet publike për ndërtimin e spitalit të përkohshëm, që pritet të zbulojë të dhëna nëse janë respektuar procedurat dhe standardet ndërtuese, ndërsa Prokuroria Themelore në Tetovë, do të hetojë shkaqet e shpërthimit të zjarrit.

Me kërkesë të qeverisë për ndihmë ndërkombëtare, kanë arritur edhe katër ekspertë gjermanë, por ata nuk do të dalim me prononcime pa grumbulluar dhe hetuar provat nga vendi i ngjarjes.

Edhe prokurorja e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Villma Ruskoska, tha të premten se detaje mund publikohen vetëm pasi të jetë hetuar i gjithë dokumentacioni dhe më pas do të vendoset nëse dikush do të thirret në përgjegjësi.

“Pjesa jonë e hetimeve ka të bëjë me furnizimet publike, ne kemi marrë dokumentacionin e nevojshëm do ta shqyrtojmë dhe më pas do të vendosim se çfarë më tej. Nuk e dimë ende se kush mund të thirret në përgjegjësi pasi së pari duhet të konstatojmë nëse ka pasur lëshime gjatë furnizimeve publike për ndërtimin e spitalit COVID. Por, nëse ka ndonjë përgjegjësi, apo nëse ka shkelje në Ligjin për furnizime publike, atëherë ne do të vendosim se kë do të marrim në pyetje. Pjesën tjetër të hetimeve mbi rënien e zjarrit e udhëheq Prokuroria Themelore në Tetovë”, ka deklaruar Villma Ruskoska, kryeprokurore për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Shpërthimi në spitalin në Tetovë, në të cilin trajtoheshin pacientët me COVID-19, ka shkaktuar reagime të shumta në opinion ndërsa janë mbajtur edhe protesta dhe familjarët kanë kërkuar zbardhjen e rasti, por edhe ndjekjen penale të përgjegjësve për këtë tragjedi.

Lidhur me këtë rast, dorëheqje ka paraqitur ministri dhe zëvendësministri I Shëndetësisë, Venko Filiçe dhe Ilir Hasani si dhe dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, por dorëheqjet e tyre ende nuk janë pranuar.

Nikolla Dujoski, ekspert për çështje të sigurisë, thotë se institucionet duhet të marrin pasa urgjente që rast të tilla të mos përsëriten, ndërsa sa i përket përgjegjësisë, ai thotë se ajo nuk duhet të jetë kolektive.

“Që kur u vendosen spitalet modulare (përkohshme) jemi në rrezik të vazhdueshëm se një tragjedi e tillë mund të ndodhë edhe nesër. Ajo çfarë duhet të bëhet është që të gjitha spitalet modulare duhet të sigurohen menjëherë pasi nëse në Tetovë një spital i tillë u dogj për tre minuta, mund që edhe tjerët të digjen sa çel e mbyll sytë. Përgjegjësi duhet të ketë, duhet të gjendet fajtori, ai të dënohet, por nuk mendoj se duhet të ketë vend për përgjegjësi kolektive”, thotë Dujoski.

Cane Mojanovski, profesor në Fakultetin e Sigurisë në Shkup, thotë se institucionet duhet sa më shpejt që të jetë e mundur të kthejnë besimin e qytetarëve në kapacitetet shëndetësore. Sipas tij, duhet të zbulohen shkaktarët e kësaj tragjedie dhe çdokush që mund të ketë faj duhet të përgjigjet.

“Ata duhet të na bindim se kemi institucione përgjegjësi pasi vetëm në këtë mënyrë në mund të ndjehemi të sigurt, që nëse ndodhë që të shtrihemi në spital, të mos rrimë aty me ndjenjën e keqe se mund të përsëritet ajo çfarë ndodhi në Tetovë. Pra, institucionet duhet të jenë të vendosur, nëse duhet të mbyllen këto spitale, le të mbyllen, pasi më mirë të mos i kemi sesa të përjetojmë katastrofa të tilla”, thotë Mojanovski.

Në zjarrin që shpërtheu më 8 shtator në Tetovë u lënduan edhe 12 persona.