Kosova

Prokuroria e Shtetit përgënjeshtron ministrin Reka

Prokuroria e Shtetit ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, se pa luftim të korrupsionit nuk mund të ndodhë liberalizimi i vizave.

Prokuroria në një njoftim, të martën, që e ka quajtur sqarim, ka dhënë disa fakte.

“Sot, në media është deklaruar Ministri i Integrimeve Evropiane, z. Blerim Reka, i cili nder të tjera ka theksuar se ‘Prej 61 rasteve të profilit të lartë të korrupsionit nuk është përfunduar asnjë, atëherë mos të habitemi pse po ngec ky proces”, thuhet në njoftim.

“Andaj, Prokurori i Shtetit sqaron opinionin dhe Ministrin e Integrimeve Evropiane, z. Blerim Reka, se pohimet e tij nuk janë të sakta, pasi që deri më tani, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, janë shënjestruar 61 raste me gjithsej 459 persona të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Po ashtu, njoftojmë opinionin, se nga 61 raste të shënjestruara, 48 prej tyre janë me aktakuza, ndërkaq, 32 raste për të cilat janë ngritur aktakuza i përkasin natyrës korruptive ku janë të përfshirë 229 persona të ndryshëm.

Gjithashtu, nga 61 rastet e përgjithshme, 16 raste janë me aktakuza që i përkasin natyrës së krimit të organizuar, ku janë të përfshirë 155 persona”.

Prokuroria ka sqaruar për 14 raste ka vendim të formës së prerë, pastaj për 17 është vendosur në shkallë të parë, 17 të tjera janë shqyrtim gjyqësor, kurse 8 janë në fazën e hetimeve, ku janë të përfshirë 99 persona.

“Për 4 raste kanë pushuar hetimet ku kanë qenë të përfshirë 11 persona, si dhe 1 rast me pezullim të hetimeve ku është i përfshirë 1 person”, përfundon sqarimi i Prokurorisë së Shtetit.

Gjatë ditës, ministri Reka ka raportuar para Komisionit për Integrime Evropiane dhe tha se ka gjetur një situatë të palakmueshme.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483