Kosova

Projekti për muze formëson historinë e shtëpisë-shkollë të Herticëve

Ndërtesa ekzistuese e shtëpisë-shkollë të Herticëve në Prishtinë planifikohet të mbulohet nga një konstruksion i ri. Projekti ideor i përzgjedhur nga Komuna e Prishtinës për shndërrimin e objektit në muze, përcakton që hapësirat të jenë në kontrast, por njëkohësisht ta fuqizojnë njëra-tjetrën.

Objekti i ri që do ta mbulojë aktualin, pos që do ta ruajë atë, do të shërbejë edhe për ekspozime e shpjegime të ndryshme. Sipas projektit të kompanisë fituese në konkursin publik të Komunës së Prishtinës, shtëpia e vjetër do të konsolidohet e përforcohet nga ana konstruktive dhe do të konservohet në gjendjen ekzistuese. E shtesa do të mundësojë krijimin e hapësirave të reja të nevojshme për funksionimin e muzeut. Projekti i kompanisë “Smart Architecture” i arkitektit Valon Elshani ka marrë pikët maksimale nga juria vlerësuese. E njëjta, projekti i së cilës kushton 42 mijë euro, pritet që pas nënshkrimit të kontratës me Komunën të punojë edhe projektin zbatues për muzeun e shtëpive-shkolla. U shpall fituese qysh në shkurt, por detaje të projektit nuk janë bërë publike. Elshani në fillim të kësaj e ka shpalosur projektin për KOHËN. Një kompani tjetër është vlerësuar e dyta me pikë dhe do të marrë pesë mijë euro, kurse dy të tjera janë diskualifikuar pasi nuk i kanë plotësuar kushtet.

Image

Pamja e projektit fitues për shndërrimin në muze të shtëpisë-shkollë të Herticëve

Shkaku i gjendjes së krijuar nga masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit, procesi është ngadalësuar. Ende nuk ka ndonjë afat se kur do të bëhet nënshkrimi i kontratës e kur do të jetë gati plani zbatues i shpalljes publike “Konkurs- projektimi për konservimin dhe adaptimin e shtëpisë-shkollë në Muzeun e shtëpive-shkolla (Lagjja e Herticëve, Prishtinë)” që ishte hapur në gusht të vitit të kaluar.

Komuna e Prishtinës kishte planifikuar që punimet të nisnin këtë vit. Sipas Ligjit për ndarjet buxhetore të këtij vitit ka të ndara 200 mijë euro për restaurimin e konservimin e objekteve të trashëgimisë kulturore. Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, ka thënë se shpreson që këtë vit të nisin punimet.

“Shpresoj që po, edhe pse tash nuk po e dimë implikimin financiar të krizës”, ka thënë ai duke iu referuar situatës së krijuar nga pandemia. Shtëpia trekatëshe që ndodhet në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë prej viti 1991 deri më 1999 kishte shërbyer si objekt i gjimnazit “Sami Frashëri”. Prej vitit 2007 mbrohet si monument i trashëgimisë kulturore i regjistruar si “Shtëpia e Herticëve”.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.