INTERVISTA

Profesori i epidemiologjisë gjenetike: Suedia nuk i ka mbrojtur mjaftueshëm të cenueshmit

“Niveli në të cilin Suedia ka mbrojtur më të cenuarit është i diskutueshëm, pasi ne e dimë se koronavirusi është i pranishëm në spitale dhe shtëpi pleqsh, gjë që çon në përfundimin se strategjia nuk e ka mbrojtur sa duhet popullatën më të cenueshme nga virusi”. Kështu e komenton strategjinë e Suedisë në luftë kundër pandemisë Paul Franks, profesor i epidemiologjisë gjenetike në Universitetin Lund të Suedisë dhe zëvendësdrejtor në Qendrën e Diabetit në këtë universitet.

Sipas informatave të fundit, në Suedi janë të infektuar më shumë se 11,900 njerëz, ndërkaq si pasojë e sëmundjes COVID-19 kanë vdekur më shumë se 1,200 persona.

Megjithatë, Suedia ka një ndër qasjet më të buta për të luftuar një pandemi, nga e cila më shumë se 128,000 njerëz kanë vdekur në të gjithë botën.

Njerëzit këshillohen që të punojnë nga shtëpia nëse munden, të shmangin udhëtimet nëse nuk është e nevojshme, shkollat janë të hapura dhe ndër të vetmet masa është ndalimi për tubimin e më shumë se 50 personave si dhe vizitat e shtëpive të pleqve.

Por, sipas profesorit Franks, virusi është përhapur në spitale dhe në shtëpi për persona të moshuar, prandaj siç thotë ai, nuk mund të thuhet se bëhet fjalë për strategji të suksesshme.

“Për ta quajtur të suksesshme, do të duhej që pjesëtarët e asaj popullate të jenë të mbrojtur dhe të mos kishim kaq shumë raste të vdekjeve, si dhe të mos kemi prani të virusit në ato pjesë, ashtu siç e kemi ne”, sqaron Franks.

Ai gjithashtu, thekson që edhe pse nuk është qëndrim zyrtar i autoriteteve, qasja e Suedisë po lëviz në drejtim të arritjes së imunitetit masiv, por që virusi mund të pësojë mutacion (ndryshim) dhe nëse përdoret vaksina për arritjen e imunitetit masiv, që të jetë funksionale, duhet të ketë efekt në të gjitha versionet e virusit SARS-CoV-2.

“Mund të jetë që COVID-19 është problem sezonal, diçka që në fakt nuk do të largohet asnjëherë, sikurse gripi dhe koronavirusët tjerë që shkaktojnë ftohjen e zakonshme, ndërkohë që ende qarkullojnë në popullatë, shkojnë dhe vijnë”, theksoi Franks.

Mund të ballafaqohemi me qindra mijëra të infektuar

Radio Evropa e Lirë: Për dallim nga pjesa e madhe e Evropës, Suedia ka adoptuar një qasje mjaft të qetë në përgjigjen e saj ndaj pandemisë së koronavirusit, ndonëse shifrat e fundit tregojnë më shumë se një mijë të vdekur. Për çfarë arsye?

Paul Franks: Ekzistojnë tre mënyra që vendet i ndërmarrin veprimet në rast të një pandemie të koronavirusit. Tajvani, Izraeli, Singapori, Koreja e Jugut dhe Kina provuan që ta ngadalësojnë përhapjen e virusit me intervenime të hershme, para se pandemia të fillonte në ato vende. Ata përdorën gjëra të tilla si monitorimi i kontakteve, karantina, teknologjitë që i ndihmuan ata të parashikojnë –sikurse Tajvani – zonat prej të cilave do të mund të vinte infektimi, në mënyrë që të mund t’i testonin njerëzit që vijnë nga ato zona.

Mënyra e dytë është që kur epidemia të fillojë, të shfrytëzoni strategjinë që mund të përfshijë masat e shtypjes ndaj përhapjes së infektimit, siç janë masat mbi lëvizjen, me të cilat vërtetë përpiqeni të kufizoni bashkëveprimet shoqërore dhe fizike ku njerëzit mund të përhapin virusin ndërmjet tyre. Ajo është strategji agresive, por nëse është bërë mirë, mund ta ulë numrin e përhapjes. Shtetet sikurse Norvegjia kanë pasur sukses me këtë për shkak të masave të fuqishme të shtypjes.

Mënyra e tretë është ajo që po e zbaton Suedia. Nuk keni masa kaq të rigoroze të shtypjes, por e kuptoni herët që virusi do të përhapet. Madje edhe me masa rigoroze kundër përhapjes, vetëm se do të përhapet më ngadalë. Kështu që e lejoni virusin që të përhapet më shpejt. Duke pasur parasysh që të mbrohen pjesëtarët më të cenueshëm të shoqërisë, kjo nënkupton që një pjesë e madhe e shoqërisë do të infektohet. Një numër i tyre ndoshta nuk do të ketë as simptome ose do të ketë fare pak. Shoqëria vazhdon të funksionojë, ekonomia vazhdon të punojë, derisa ju jeni duke i mbrojtur më të cenuarit. Pastaj arrini në pikën, në të cilën është një numër i mjaftueshëm i popullatës i infektuar, kështu që arrihet imuniteti masiv dhe ku infeksioni ndalon së vepruari.

Kjo strategji është më e ngjashme me atë që Suedia e ka miratuar. Ndonëse niveli i mbrojtjes së më të cenuarve është i diskutueshëm, sepse e dimë që virusi SARS-CoV-2 është i pranishëm në spitale dhe shtëpi të kujdesit, gjë që na çon në përfundim se strategjia nuk e ka mbrojtur në masë të mjaftueshme popullatën që është më e cenuar nga virusi.

Radio Evropa e Lirë: Përveç ndalimit të tubimit të më shumë se 50 njerëzve dhe vizitave në shtëpitë e kujdesit, masa tjera nuk janë futur në fuqi?

Paul Franks: Kjo nuk është krejtësisht e saktë. Janë sjellë rekomandime të ndryshme, me të cilat promovohet distanca fizike për të ulur përfundimisht përhapjen e virusit. Fundjavën e kaluar ka qenë festa e Pashkëve dhe njerëzit zakonisht udhëtojnë. Kështu që njerëzit janë stimuluar mjaft që të mos udhëtojnë gjatë pushimit të Pashkëve dhe sigurisht që shumica e njerëzve u është përmbajtur atyre rekomandimeve. Të dhënat e telekomunikacionit gjithashtu thonë se njerëzit përgjithësisht më pak po lëvizin se sa që do ta bënin në të kundërtën. Kështu që janë sjellë mjaft rekomandime rreth ngadalësimit të përhapjes së virusit, vetëm që nuk kemi aq rregulla, ligje në të cilat ekziston bazë ligjore për intervenim në mënyrë që të ngadalësohet përhapja. Kjo është kufizuar në gjëra, sikurse tubimi i më shumë se 50 njerëzve dhe vizitat në shtëpitë e kujdesit.

Radio Evropa e Lirë: Suedia ka 10 milionë njerëz. Tashmë janë më shumë se 11 mijë njerëz të infektuar. Ndonëse shifra është më e vogël sesa në Spanjë, Francë ose Itali, në vende të cilat i kanë lajmëruar më shumë se 15 mijë të vdekur, edhe më tej është më e lartë se sa në vendet tjera skandinave. Çfarë na tregojnë këto shifra në këtë moment?

Paul Franks: Duhet të jemi shumë të kujdesshëm me atë se si i interpretojmë numrat e rasteve të konfirmuara. Ato që nuk i kemi janë testimet e përhapura të rastësishme në Suedi, për të vlerësuar numrin e të infektuarve. Kështu që ai numër i të infektuarve që e kemi nuk është numri i vërtetë i të infektuarve. Askush nuk e di sepse askush nuk e ka matur. Por, simulimet parashikojnë se do të mund të përballemi me qindra mijëra të infektuar. Kështu që unë nuk do ta krahasoja numrin e rasteve të konfirmuara në një vend me numrin e rasteve në vendin tjetër, sepse ata varen nga masat e qeverisë për testime. Në Suedi mjaft herët është sjellë vendimi që të mos bëhen testimet e gjera, por mjaft të kufizuara. Kështu që ajo shifër nuk është e dobishme për të kuptuar epidemiologjnë e virusit SARS-CoV-2.

Është e domosdoshme të mbrohen më të cenueshmit

Radio Evropa e Lirë: Një grup i përbërë me më shume se dhjetë mjekë, shkencëtarë dhe hulumtues, e kanë kritikuar Institutin e Shëndetit Publik, sepse, sipas mendimit të tyre, nuk ka arritur që të krijojnë strategjinë e duhur. Cilat janë ankesat e tyre?

Paul Franks: Ata, në esencë, kanë theksuar një varg faktorësh, për të cilët besojnë se janë zbatuar dobët nga Instituti i Shëndetit Publik, por gjithashtu kanë dhënë rekomandime për ato që besojnë se duhet të bëhen. Ata gjithashtu avokojnë për një ndërhyrje më të madhe politike për ta detyruar Institutin të lëvizë në një drejtim tjetër. Ajo që duhet ta kemi parasysh është që i është kushtuar shumë vëmendje e madhe kundërshtuesve të Institutit të Shëndetit Publik. Kjo nuk ka lidhje me mendimin tim personal, por është fakt. Por, nëse e pyesni dikë se a do të nënshkruante peticion, siç edhe ka ndodhur në Suedi, ku thuhet:“Ajo që po e bën Instituti i Shëndetit Publik është gabim, duhet ndryshuar drejtimi?”, rreth 2 mijë mjekë dhe shkencëtarë e kanë nënshkruar atë peticion para disa javësh. Me sa di unë, në peticion nuk shkruhej: “A mendoni që Instituti i Shëndetit Publik po punon drejtë?”.

Ajo që na mungon është kundërpesha e mendimit që është shprehur. Ndoshta ekziston numër i madh i mjekëve dhe shkencëtarëve, të cilët e mbështesin punën e Institutit të Shëndetit Publik, por nuk e kanë nënshkruar peticionin ose nuk kanë shkruar ndonjë letër për të botuar në gazetat nacionale. Kështu që unë do të sugjeroja pak kujdes lidhur me mendimin që ajo që është shprehur paraqet mendimin e shumicës së mjekëve dhe shkencëtarëve në Suedi. Ndoshta po, por ndoshta edhe jo.

Ne jetojmë në demokraci, ndonëse tash kemi të bëjmë me krizë. Edhe demokracia është themeluar mbi lirinë e shprehjes dhe mundësinë që të shprehet mendimi. Është shumë me rëndësi që të mbetemi demokratik edhe në krizë dhe mendoj që Instituti i Shëndetit Publik duhet të punojnë fuqishëm që të sigurohet se ka një komunikim të mirë me njerëzit.

Gjithashtu, është e rëndësishme të kesh kapacitet për të dëgjuar edhe ekspertët e jashtëm, pa besuar në atë që gjithçka mund të bëhet vetëm përbrenda, gjë që është përshtypje që shpeshherë krijohet se e gjithë ekspertiza vjen nga Instituti për Shëndetin Publik dhe se nuk është e domosdoshme të shikohet jashtë. Mendoj që kjo është e pasaktë. Qeveria e Suedisë e ka krijuar një ekip të bashkëpunëtorëve të jashtëm, pra mendoj që ai ekip, në këtë moment nuk është prezantuar brenda Institutit.

Radio Evropa e Lirë: Mbretëria e Bashkuar në fillim ka pasur qasje të ngjashme sikur Suedia, duke lejuar virusin që të përhapet ngadalë, pa vendosur masa ekstreme. Tashmë kanë më shumë se 12 mijë të vdekur, ndërkaq që edhe kryeministri ishte infektuar me koronavirus. Cila është ndjenja e përgjithshme në Suedi. A janë të shqetësuar ata mjekë për këtë shkak?

Paul Franks: Nuk dëshiroj të flas në emër të tyre, por mendoj që te ekziston shqetësimi te mjaft prej tyre. Nëse synoni imunitetin masiv, gjë që nuk është qëndrim zyrtar i Institutit në Suedi, por që sigurisht është indikator i asaj që po ndodh, pra, nëse doni të shkoni drejt imunitetit masiv, nëse nuk do të keni masa të ashpra të shtypjes, është e domosdoshme që autoritetet të mbrojnë më të cenuarit.

Ky është rregulli numër një, pra, duhet të mbroni popullatën e cenueshme, në rast se nuk doni që të shkatërroni virusin. Nuk duhet të lejoni që të përhapet në mesin e popullatës së cenueshme ose do të keni numër të madh të rasteve të vdekjeve.

Kjo është ajo që fatkeqësisht po ndodh në Suedi. Kemi raste të shumta të vdekjeve, sepse virusi është përhapur në popullatën e cenueshme, te njerëzit me sëmundjet e mëhershme ekzistuese, te popullata e moshuar ose te popullata migruese, ku komunikimi nuk ishte adekuat. Me sa kuptoj unë, ata nuk i kanë marrë porositë e organeve të shëndetësisë, kështu që nuk e kanë ndryshuar sjelljen dhe fatkeqësisht numri i madh i të vdekurve vjen nga bashkësitë e migrantëve. Në këtë pikëpamje, strategjia në Suedi nuk ka pasur sukses. Që ta quajmë të suksesshme, do të duhej të nënkuptonte që anëtarët e asaj popullate të ishin të mbrojtur dhe të mos kishim këtë numër të rasteve të vdekjeve, si dhe të mos e kishim të pranishëm virusin në ato pjesë, ashtu siç e kemi ne. Kjo gjendet në thelbin e shqetësimeve që kam pasur rastin t’i dëgjoj.

Qasja nuk është e padepërtueshme sa duhet për të mbrojtur popullsinë e cenueshme, dhe unë pajtohem, më shumë duhet të bëhet dhe mund të bëhet sot, për të mbrojtur pjesën e popullsisë më të rrezikuar.

Virusi mund të pësojë mutacion (ndryshim)

Radio Evropa e Lirë: Zyrtarët e institucioneve shëndetësore kanë publikuar edhe simulimin, në të cilin parashihet se cili spital duhet t’i zgjerojë kapacitetet e veta në rast të një numri më të madh të pacientëve me COVId-19. Mbi çka janë bazuar ato vlerësime?

Paul Franks: Disa vlerësime janë që grupi COVID-19 do të zgjerohet në Suedi, se një rajon nuk do të infektohet në të njëjtën kohë me tjetrin. Ata i bazuan simulimet në bazë të spitaleve në rajone dhe u përpoqën të vlerësonin afërsisht se kur ato rajone do të arrinin kulmin e infeksionit. Ata përdorën të dhëna nga Lombardia dhe Vuhan për të vlerësuar ndikimin e përgjithshëm të pandemisë. Kjo i bëri të konkludojnë se numri i njerëzve që do të vijnë në spitale për shkak të infeksionit të koronavirusit do të ishte rreth 100 mijë ose një për qind e popullsisë suedeze.

Më pas, vlerësuan se nga ai numër, rreth 2,800 presona do të pranohen në kujdesin intensiv dhe se disa mijë të tjerë gjithashtu do të pranohen në spitale, por jo më të rrezikuarit.

Radio Evropa e Lirë: Me Evropën, e cila po sjellë masa të ashpra dhe Suedinë, në të cilën jeta po zhvillohet gati se zakonshëm, a mendoni që do të mund të arrijmë deri te momenti, në të cilën, të themi, Evropa e bën një hap tutje nga Suedia dhe i vendos masat?

Paul Franks: Danimarka sot i ka hapur shkollat. Vendet po fillojnë t’i lirojnë masat e izolimit të cilat i kishin vendosur. Nuk është se vendet planifikojnë të mbajnë masa të lëvizjes së kufizuar deri në pafundësi.

Kjo nuk është ekonomikisht e qëndrueshme dhe shëndeti mental i njerëzve po vuan. Ekzistojë gjithë ato masa të tjera, të cilat ndikojnë në strategjitë për shuarjen e virusit.

Vendet, me siguri që do të kalojë përmes vendosjes së disa masave alternative dhe lirimit të masave. Kjo nënkupton që në fuqi do të jenë disa masa shkrehëse, të sjella në bazë të numrit të rasteve të pranuara në kujdesin intensiv. Kur numri i atyre pacientëve të rritet, masat e shtypjes përsëri do të forcohen për të ngadalësuar përhapjen. Në rast se shifrat ulen, atëherë masat sërish do të lirohen. Një proces i tillë rrotullimesh me siguri që do të zgjasë edhe vitin e ardhshëm ose derisa të mos gjendet vaksina efektive.

Radio Evropa e Lirë: Kur po flasim për vaksinat… Sipas të kuptuarit aktual, ekzistojnë tre mënyra për të luftuar përhapjen e epidemisë. Imuniteti masiv, masat rigoroze dhe vaksinat. Por, për vaksinën na duhet të presim, sipas të gjitha paralajmërimeve, diku rreth 18 muaj.

Paul Franks: Pa marrë parasysh se a do të jetë përmes vaksinës apo përmes rrugës së natyrshme, të dy qasjet do të rezultojnë me imunitet masiv. Me vaksinim krijoni imunitet masiv. Kur dikujt i jepni vaksinën, ai i zhvillon antitrupat që e mbrojnë nga virusi.

Në skenarin pa vaksinë, njerëzit janë të ekspozuar ndaj virusit përmes mjedisit të tyre dhe më pas e zhvillojnë sëmundjen dhe antitrupat, shërohen dhe pastaj, shpresojmë se janë të mbrojtur. Në të dy rastet, përgjigja varet nga gjendja e imunitetit të individit.

Tash ka dalë një punim, i cili thotë që njerëzit kanë reagime dukshëm të ndryshme ndaj koronavirusit, që do të thotë se disa njerëz do të kenë reagim shumë të fortë, ndërsa të tjerët do të kenë reagim të dobët. Këto reagimet më të dobëta mund të jenë problematike për sa i përket infektimit të serishëm në të ardhmen. Kjo është diçka si faktor X ( i panjohur) kur bëhet fjalë për vaksinën.

Një tjetër gjë është se virusi mund të pësojë mutacion. Kështu që nëse vaksina nuk është plotësisht e efektshme, gjegjësisht, nëse nuk funksionon në versione të ndryshme të SARS-CoV-2, do të thotë, nëse funksionon në një lloj dhe jo në një tjetër, atëherë, mund të ndikojë në nivelin e imunitetit që mund të arrihet. Ekzistojnë faktorë të ndryshëm. Por, mund të jetë edhe që COVID-19 është problem sezonal, pra, diçka që nuk do të largohet kurrë, në të njëjtën mënyrë sikurse edhe gripi dhe koronavirusët tjerë që shkaktojnë ftohjen e zakonshme dhe edhe më tutje qarkullojnë në mesin e popullatës, shkojnë dhe kthehen.

Nuk ka asnjë strategji të garantuar për t’i dhënë fund COVID-19, e gjitha ka të bëjë me shtypjen e tij.

Radio Evropa e Lirë: Në tekstin e juaj për World Economic Forum, ju shkruani për përvojën e Suedisë gjatë kohës së Gripit Spanjoll, kur vendi nuk pati sukses që të arrinte imunitet masiv, gjë që rezultoi me atë që virusi të kthehet një vit më vonë. A ekzistojnë shpresat në leksionet e marra nga ajo periudhë?

Paul Franks: Varet se kush e mëson leksionin. Mendoj, në mënyrë tipike, nëse po përpiqeni të kuptoni pandeminë COVID-19, ajo që po bëhet është se po shikoni vendet e tjera dhe se si ato po merren me pandeminë.

Në ditët e para, ajo që drejtonte vendimmarrjen për strategjitë ishte e bazuar në Lombardinë në Italinë dhe Vuhanin në Kinë. Shihni mbase në pandemitë dhe epidemitë tjera dhe natyrisht, pandemia e gripit e vitit 1918 ka mundësuar një lloj udhëzimi se si virusi përhapet në popullatën globale.

Mendoj që është e rëndësishme të kemi në mendje se ne jo vetëm që kemi një pandemi globale ngjitëse, por kemi gjithashtu një epokë krejtësisht të ndryshme të komunikimit, udhëtimit. Ju mund të përdorni argumentin se ka pasur edhe udhëtime masive gjatë pandemisë së vitit 1918, sepse ushtarët po ktheheshin në shtëpi pas Luftës së Parë Botërore. Por, nuk kemi pasur udhëtime ndërkombëtare të miliona e miliona njerëzve. Së dyti, kjo pandemi është gjithashtu një pandemi e informacionit, që do të thotë se përfshin informacione të sakta, por edhe të pasakta, gjë me të cilën duhet të merremi. Por, kur përpiqeni të keni një harmonizim lidhur me atë se si popullata sillet për ta shtypur virusin, ju nevojiten porosi sa më të sakta dhe më të qarta.

Shumë nga këto mesazhe janë ndërruar me dezinformata që mund t’i shtyjnë njerëzit të veprojnë në mënyrë kundër-produktive.

Mendoj se para 100 vjetësh nuk ishe kështu saktë, sepse nuk kemi pasur përhapje të shpejtë të informatave, të cilën e kemi sot, nuk i kemi pasur platformat për komunikim publik që i kemi sot.

Kulmi i epidemisë në Suedi, i mundshëm në mesin majit

Radio Evropa e Lirë: Bazuar në atë që dimë sot për koronavirusin, a ekzistojnë parashikime se në çfarë shkalle të infeksionit mund të arrihet imuniteti masiv?

Paul Franks: Unë nuk jam virolog, por epidemiolog gjenetik. Por, të kuptuarit tim është se pragu i imunitetit varet nga ajo sa infektues është virusi.

Nëse keni një numër të madh të njerëzve që janë infektuar dhe shëruar, kjo ju jep më pak mundësi të kontaktoni me dikë që është infektuar, sesa po të kishit më shumë njerëz me infeksion aktiv rreth jush.

Pasi të keni arritur atë prag, i cili zakonisht vlerësohet në 60 për qind -megjithëse ka shifra të ndryshme që shkojnë nga 35 për qind në 75 për qind – ai bazohet në shpejtësinë e transmetimit dhe gjasat që ju të kontaktoni me dikë që është i infektuar. Kjo është natyra në bazë të së cilës funksionon imuniteti masiv.

Përhapja e virusit varet nga shumë gjëra, prej asaj se sa është ai simptomatik. Ebola është shumë ngjitëse dhe shumë vdekjeprurëse, por simptomat shfaqen shumë shpejt dhe janë shumë të qarta, kështu që njerëzit janë të vetëdijshëm se këto simptoma janë shenjë e keqe dhe se nuk duhet t’i ekspozohen infeksionit. Ndërsa, nga ana tjetër, shumë njerëz nuk janë simptomatikë, kështu që ata nuk e kuptojnë shkallën në të cilën ata ekspozojnë veten ose të tjerët ndaj infeksionit.

Mendoj se të gjithë këta faktorë ndikojnë në mënyrën se si do të fitohet imuniteti masiv, por edhe në perceptimin e publikut për virusin.

Radio Evropa e Lirë: Virusi është këtu tash e disa muaj, por për çdo ditë po mësojmë diçka të re. Për shembull, një ditë janë publikuar informacione nga Koreja e Jugut se virusi është lajmëruar sërish te disa pacientë të shëruar. Por, nuk e dinë nëse testet janë të gabuara apo virusi ka mundësi të rishfaqen. A do të ishte kjo e mundur?

Paul Franks: Sipas mendimit tim, ekzistojnë dy skenarë. I pari është që virusi po pëson mutacion, siç ishte rasti me pandeminë e vitit 1918, sepse antitrupat që janë prodhuar fillimisht nuk kanë mundur që të përballojnë infeksionin e dytë të virusit që ka pësuar mutacion.

E dyta është që njerëzit kanë një përgjigje të tillë imuniteti, që nuk prodhojnë mjaft antitrupa për t’i mbrojtur ata nga infeksioni i ardhshëm.

Radio Evropa e Lirë: Bazuar në numrat që keni tani, a mund të vlerësoni nëse Suedia është afër kulmit të pandemisë. Çka mund të prisni në javët e ardhshme?

Paul Franks: Është pak e besueshme që kemi arritur kulmin e COVID-19. Ekziston një simulim i një profesori suedez, i cili vlerësoi se deri në fund të prillit, 50 për qind e popullsisë mund të infektohet. Por, ai gjithashtu ka theksuar që mund të jetë një numër i ekzagjeruar. Nëse jemi në rrugën drejt imunitetit masiv, atëherë me siguri mesi i majit mund të jetë koha kur do të shohim numrin më të madh të të infektuarve dhe që edhe numri i vdekjeve mund të jetë i dukshëm dy javë pas kësaj.