Kuriozitet

Prodhohet Octavia e re, e shtatë milionta me radhë (Foto)

Modeli në fjalë, ka qarkulluar në treg për më shumë se gjashtë dekada.

Skoda Octavia ka arritur në shtatë milionë njësi të prodhuara. Octavia, modeli më i mirë i këtij prodhuesi çek të automjeteve, ka qenë në shitje për 61 vjet.

Octavia e 7-miliontë sapo ka dalë nga fabrika e Skodës në qytetin Mlada Boleslav. Gjenerata e katërt e këtij modeli ka debutuar në nëntor të vitit të kaluar, shkruan “motoringresearch”.

Modeli origjinal i Octavias ka ofruar shumë sesa modeli i fundit. Një kombinim i përballueshmërisë, sigurisë dhe një sërë teknologjish të reja, transmeton Koha.net. Sot, kjo nënkupton asistentin me zë që quhet Laura dhe ndriçime LED, ndërsa në vitin 1959 kjo nënkuptonte amortizatorët e pavarur për të katër rrotat.

Gjithashtu, modeli origjinal i Octavias ishte modeli i tetë i Skodës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Prandaj e ka fjalën “Oct” në emër.

400 mijë njësitë e para nga 7-milionë Octaviat ishin gjenerata e parë e këtij modeli, të prodhuara mes viteve 1959 – 1971.

Octavia moderne ka debutuar më 1996, e zhvilluar nën ombrellën e Volkswagen Group. Ky ishte momenti kur Octavia ka shënuar sukses, duke shitur 61,000 njësi më 1997 dhe pastaj 117,500 më 1998.

Gjenerata e parë e Octavias ka vazhduar prodhimin deri më 2010, paralelisht me pasardhësin e tij pas 2004-ës, duke arritur në mbi 1.4 milion njësi të shitur.

Gjenerata e dytë, modeli i vitit 2004, është prodhuar deri në vitin 2012, me 2.5 milionë njësi të prodhuara. Ndërsa gjenerata e tretë e Octavias nga viti 2012 ka zgjatur deri në vitin e kaluar, ku gjatë kësaj periudhe janë prodhuar 2.6 milionë njësi.

Ndërkaq gjenerata e katërt është prezantuar në muajin nëntor të vitit të kaluar, ndërsa pritet të debutojë muajin e ardhshëm në panairin e automjeteve që do të mbahet në Gjenevë (nga 5 – 15 mars).