Kosova

Procesi i përzgjedhjes së Avokatit të Popullit, drejt dështimit?!

Përzgjedhja e kandidaturave për pozitën e Avokatit të Popullit, ka hasur në pengesa serioze. Procesi është duke shkuar drejt dështimit thonë disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, e nga organizata të shoqërisë civile, është bërë thirrje për anulim të tërësishëm të këtij procesi, përkatësisht rishpallje të konkursit – shkruan Kosova.info

Në mbledhjen e 30 korrikut të Komisionit Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, deputetja Teuta Haxhiu nga radhët e AAK-së, vuri në dukje disa lëshime, të cilat i cilësoi si shkelje ligjore.

Si rrjedhojë anëtarët e këtij komisioni, janë ndarë në dy “fronte”, për shkak se nga Kryetarja Duda Balje, është tentuar të futen në listën e kandidatëve të përzgjedhur, katër sosh, ndryshe nga ajo që e parasheh ligji.

Kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje, përkundër përpjekjeve të redaksisë, për të mësuar më shumë rreth këtyre anomalive të cilësuara si shkelje, nga disa anëtarë.

Deputetja Haxhiu, anëtare nga radhët e AAK-së, e cila e problematizoi e para këtë çështje, për Kosova.info tha që për shkak të këtyre shkeljeve “nuk dua që t’i faturohet shtetit tonë një vërejtje në Raport të Progresit!”

Sipas saj, këto lëshime mund të kenë qenë të qëllimshme. Dyshimet e saj forcohet veçmas pas tendencës për ta futur në listë edhe një kandidat i cili nuk ka pikë të mjaftueshme.

Komisioni ka mbajtur mbledhje edhe sot, me ç’rast deputeti Sali Zyba nga radhët e Vetëvendosjes, u shpreh se ndonëse procesi nuk ka dështuar tërësisht, ai është vënë në binarë të gabuar.

“Për sa kohë nuk ka interpretim ligjor, unë e shoh si një përpjekje për ta degraduar apo çrregulluar” procesin e përzgjedhjes – është shprehur ai ndër të tjera.

Ndonëse nuk e sheh si proces tërësisht të dështuar, Zyba mendon se kjo është “përpjekja e fundit” – sipas tij për ta përmbushur këtë detyrim. Për më tepër, ai e sheh me vend edhe reagimin e organizatave nga shoqëria civile, të cilët kanë vënë në dukje një varg shkeljesh në tërë këtë proces.

Jo më larg se sa sot, Rrjeti i Grave të Kosovës, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Instituti Kipred, nëpërmjet një komunikate për media, kanë kërkuar që të përsëritet tërë procesi. Kjo duhet të bëhet, sipas tyre, në përputhje me Memorandumin e nënshkruar kohë më parë, ndërmjet Kuvendit dhe Ambasadës Britanike.

“Paneli Vlerësues ka bërë lëshime serioze në metodologjinë e zbatuar për të vlerësuar meritën e kandidatëve” – është vetëm një ndër vërejtjet serioze të cilat këto organizata ia adresojnë komisionit në fjalë, përkatësisht procesit të përzgjedhjes së avokatit.

Përveç tyre, edhe Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), i cili e ka monitoruar procesin, ka gjetur një varg problemesh, ndërsa ka dhënë edhe disa rekomandime.

Nuk dihet përfundimisht nëse do të përsëritet i tërë procesi i përzgjedhjes, por qysh tani kanë shpërthyer pakënaqësitë. Mbledhja e sotme e Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka përfunduar para kohe, për mungesë koorumi./Kosova.info/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.