EKONOMI

Procedurat burokratike do ta shtyjnë afatin për hapjen e Bankës së Diasporës

Ishte paralajmëruar se në Ditën e Flamurit Kombëtar, më 28 nëntor, sektorit bankar të Kosovës do t’i shtohej edhe një bankë.

Por, përpos një regjistrimi të kryer në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, nga disa investitorë shqiptarë në ShBA, nuk është bërë ndonjë lëvizje tjetër, raporton KTV.

Në Bankën Qendrore të Kosovës thonë se, pos takimit të mbajtur me Guvernatorin në prill të këtij viti, investitorët që kanë shprehur interesimin të hapnin Bankën e Diasporës nuk kanë aplikuar për licencë.

Sipas Ligjit të BQK-së, afati për licencimin e një banke është 90 ditë.

Kohavisioni ka provuar të marrë një përgjigje nga Presidenti i Rrjetit Global të Diasporës, Nazar Mehmeti, por ka qenë e pamundur.

Përgjigje nuk ka dhënë as Sekretari i Rrjetit, Ismet Smajli.

Burime të Kohavisionit brenda Qeverisë kanë treguar se fjalët e shumta të qeveritarëve për ofrim të kushteve për investime nuk kanë vlejtur edhe për mërgimtarët.

Sipas po të njëjtave burime, investitorët kanë hasur në pengesa të shumta për ta realizuar investimin në vendlindje, përfshirë edhe ballafaqimin me përpjekjet për ta dështuar në tërësi këtë investim.

Përveç fjalëve të shumta, Zëvendësministri i Diasporës, Arian Daci, ka thënë se u janë vënë barriera burokratike.

Sido që të jetë këta investitorë nuk janë të vetmit që kanë shprehur interesim të hyjnë me investime në sektorin bankar.

Qëllimi i Bankës së Diasporës është lehtësimi i procedurave bankare për remitenca, transaksione dhe projekte investive.

Dërgesat nga diaspora kishin shënuar rritje vit pas viti.

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, mbi 14 milion euro më shumë janë dërguar nga diaspora, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Për këtë, BQK-ja pati deklaruar se të ardhurat nga diaspora pritet të rriten edhe më shumë gjatë muajve në vazhdim.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.