KULTURË

Problemi im s’është krishterimi, por inkuizicioni; s’është islami, por xhihadizmi; s’është judaizmi, por hebrenjtë fundamentalistë

Zëri i tij shpeshherë nuk kapet nga regjistruesi për shkak të gërrhitjeve të maçokut Freddie. “Gjendja ime shëndetësore më lejon të udhëtoj vetëm me imagjinatë”, justifikohej shkrimtari i njohur izraelit, një vit përpara se të ndërronte jetë (28 dhjetor 2018). Kështu Amos Oz nisi një bashkëbisedim në shtëpinë e tij në Tel Aviv, mbi fanatikët, ekstremistët dhe sektarët që zgjedhin të përballen me kompleksitetin e botës në mënyrën më të lehtë të mundshme. Për këtë flet edhe libri i tij “Të dashur fanatikë” për të cilin tha se ia dedikoi nipërve të tij. “Kam përshirë gjithë sa kam mësuar në jetë, jo në mënyrë abstrakte, por si një histori”, vijoi Amos Oz.

***

Përse keni zgjedhur të merreni me çështje të pesëmbëdhjetë viteve më parë?

Është një rishikim i konferencave të mia në vitin 2002 në Gjermani, por ka një qasje të re. Gjëja më e rrezikshme e shekullit XXI është fanatizmi në gjithë aspektet e tij: fetar, ideologjik, ekonomik e madje edhe feminist. Është e rëndësishme të kuptojmë pse kthehet tani tek islami, në disa forma edhe te krishtërimi apo te hebraizmi.

Ju shkruani për tokën tuaj. A është Lindja e Mesme kulla e fanatizmit?

Është një ide e zakonshme, por nuk besoj se është e vërtetë. Rritja e fanatizmit dhe racizmit në Shtetet e Bashkuara është shumë më e rrezikshme. Rusia dhe Evropa Lindore përballen me fundamentalizmin, por është njësoj i rrezikshëm edhe fanatizmi nacionalist në Evropën perëndimore.

Pra, e bashkëndajmë këtë mëkat fillestar?

Mendoj se ndoshta në secilin prej nesh ekziston një gjen fanatizmi. Të duash të ndryshosh të tjerët është tendencë e qenieve njerëzore. Për shembull u themi fëmijëve “Duhet të jesh si unë!” Është diçka e zakonshme.

Por, ju shkruani për një fanatizëm universal…

Sa më shumë që problemet bëhen komplekse, aq më shumë shtohen personat e uritur për t’i zgjidhur në mënyrën më të thjeshtë, sipas një formule që i përgjigjet gjithçkaje. Por, shpeshherë bëhet fjalë vetëm për mesazhe fanatike. Për shembull “Të gjitha problemet tona vijnë nga shoqëritë perëndimore” ose “problemet tona vijnë nga fundamentalizmi islamik” apo edhe “janë zhvilluar prej globalizimit”…

Në rini edhe ju keni qenë fanatik…

Një ekstremist i vogël, i rritur në një ambient nacionalist. “Hebrenjtë kanë të drejtë, armiqtë tanë e kanë gabim. Ne jemi të mirët, ata të këqijtë.” Kaq, është shumë e thjeshtë.

Si kurohet fanatizmi?

Duhet të jemi të guximshëm. Të vihemi në vendin e tjetrit edhe nëse bëhet fjalë për armikun. Receta më e mirë është imagjinata, sensi i humorit, empatia. Por, jo për t’i bërë qejfin tjetrit, sepse unë nuk jam si Jezu Krishti që them t’i kthejmë edhe faqen tjetër. Përpiqem të imagjinoj se çfarë e shtyn tjetrin të sillet në një mënyrë të caktuar.

Keni ikur nga Jerusalemi, qyteti ku keni lindur. Është e vështirë të mos jesh fanatik për atë qytet?

E dashuroj Jerusalemin, por kam nevojë të mbaj një distancë të caktuar. Është shumë konservator në termat ideologjikë dhe fetarë. Në Jerusalem thuajse të gjithë kanë formulën e tyre për të arritur shpëtimin apo shpengimin: të krishterët, myslimanët, hebrenjtë, pacifistët, ateistët, racistët. Të gjithë.

Në shtetin hebre ku feja është shenjë identiteti, si mund të jetohet si laik, si ateist?

Problemi im nuk është feja, por fanatizmi fetar. Nuk është krishterimi, por inkuizicioni. Nuk është Islami, por xhihadizmi. Nuk është judaizmi, por hebrenjtë fundamentalistë. Nuk është Jezu Krishti, por kryqëzatat.

A e kanë kushtëzuar nacionalizmi dhe konflikti palestinez vizionin e Izraelit?

Natyrisht. Kur një konflikt mizor zgjat më shumë se 100 vjet ka plagë nga të dyja palët. Në Evropë ka persona sentimentalë që besojnë se gjithçka mund të zgjidhet duke pirë një kafe, me idenë se bëhet fjalë për një keqkuptim. Pra, të bëjmë një terapi grupi dhe miq si më parë! Jo. Ekzistojnë konflikte që janë më shumë se reale. Është sikur dy burra dashurojnë të njëjtën grua, apo dy gra dashurojnë të njëjtin burrë. Bëhet fjalë për një përballje që nuk zgjidhet duke pirë kafe. Konflikti mes izraelitëve dhe palestinezëve është real.

Nevojitet një divorc: dy shtete?

Thelbësisht bëhet fjalë për këtë. Shtëpia është shumë e vogël, duhet të bëjmë dy apartamente. Izraeli dhe në derën përkrah, Palestina. Më pas duhet të mësojmë të themi “mirëmëngjesi” nëpër shkallë. Me kalimin e kohës mund të bëjmë edhe vizita, të pimë një kafe në shtëpinë e tjetrit. E madje mund edhe të gatuajmë së bashku: një treg i përbashkët, një federatë apo konfederatë… por, pikë së pari duhet të ndajmë shtëpinë. Në fund të fundit të gjithë e dinë se zgjidhja e vetme është ndarja. Për palestinezët, izraelitët janë si një gjymtim, sikur të humbnin një pjesë të trupit.

Për t’u kthyer te libri, po jetojmë në kohën e zagarëve fanatikë?

Është një kohë thjeshtimesh të tepruara. Njerëzit presin përgjigje të thjeshta dhe nuk e kanë problem të quhen ekstremistë. Tetëdhjetë vjet më parë kishim frikë nga Hitleri apo Stalini.

Nëse imuniteti që kemi marrë prej Luftës së Dytë Botërore nuk funksionon më, duhet të marrim një vaksinë tjetër?

Nuk dua një tjetër pellg gjaku. Por rreziku ekziston: fanatizmi sjell dhunën. Në librin tim mund të gjendet një miligram vaksine: tolerancë dhe kuriozitet. Herë pas here duhet të qeshim edhe me veten. Nuk kam parë kurrë një fanatik me sens humori. /Mapo/