Kosova

Pritet raport pozitiv për liberalizimin, por jo edhe lëvizje pa viza këtë vit

Njohësit e integrimeve evropiane, presin që raporti i Komisionit Evropian, që do të dal së shpejti rreth liberalizimit të vizave për Kosovën, të jetë pozitiv, por nuk presin që kosovarët të udhëtojnë pa viza brenda këtij viti.

Raport pozitiv po pret njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu, i cili numëron disa prej hapave të mëtutjeshëm, që do të ndërmerren për këtë proces.

“Duhet të merret mandati negociues në komitetin LIEBE, pastaj duhet një pozicion negociues në Këshill, pastaj duhet pajtim në mes të Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit (të Evropës). Pastaj duhet të bëhet një votim në seancë plenare të Parlamentit Evropian, votim në nivel të ambasadorëve të BE-së, votim në Këshill të ministrave të Brendshëm dhe Drejtësisë, që nënkupton se duhet të votojnë pro 55 % e vendeve anëtare, ceremonia e nënshkrimit, gazeta zyrtare, hyrja në fuqi. Kjo është faza e vendimmarrjes politike pasi të kalohet ajo teknike, që është raporti”, ka thënë njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu për RTV Dukagjinin.

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës, shprehet se kjo procedurë e vendimmarrjes në BE është standarde, e që sipas tij mund të marr muaj të tërë deri të heqja përfundimtare e vizave.

“Kjo procedurë është procedurë standarde e vendimmarrjes në BE, sidomos pas traktatit të Lisbonës. Është një procedurë që mund të merr muaj të tërë deri sa të përfundohet. Kjo varet edhe sa shpejt futet në agjendë edhe çështja e liberalizimit të vizave”, tha Murati, përcjell Telegrafi.

Ai tha se nuk ka garanci se procesi mund të përfundoi brenda vitit 2018.

“Duhet cekur se në maj të vitit 2019 do të ketë zgjedhje për Parlamentin Europian, kështu që çështja e liberalizimit të vizave mundë të vonohet më së largu deri në prill të vitit 2019”, tha ndër të tjera Artan Murati.

Raporti për Kosovën për liberalizim të vizave, pritet të dal nesër, ndërsa të enjten për vizitë në Prishtinë do të jetë Komisionari për Punë të Brendshme dhe Migracion, Dimitros Avramopoulos.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.