EKONOMI

Pritet ndërtimi i tunelit Pejë – Rozhajë

Ministri i Infrastrukturës, së Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, ka deklaruar se takimi me homologun e tij nga Mali I Zi, është shembull i mirë i bashkëpunimit mes dy vendeve, duke bërë të ditur se dy ministrat u dakorduan ta zhvillojnë infrastrukturën rrugore.

Këtë deklaratë ministri Lekaj e ka bërë pas takimit që pari me Ministrin e Transportit dhe Çështjeve Detare i Malit të Zi, Osman Nurkoviq.

“Në fokus kemi pasur tri çështje me rëndësi, për korridoret dhe lidhjen ajrore dhe hapësinore, dhe ajo që u dakorduam është që ta zhvillojmë infrastrukturën rrugore.  Ajo që është përmendë sa i përket tunelit mes Pejës dhe Rozhajës po zhvillohet me intensitet të lartë dhe nuk janë veç fjalë”, ka thënë ministri kosovar Lekaj, duke shtuar se rëndësi u janë dhënë edhe politikave hekurudhore.

Po ashtu ministri Lekaj, ka veçuar se atë se ai ka marrë garancion që edhe rruga Deçan-Plavë sa u përket detyrimeve të shtetit maqedon, punët do të kryhen sipas dinamikës.

“I kemi dhënë rëndësi të veçantë edhe politikave hekurudhore. Kjo vizitë e ministrit do të ndikojë dukshëm në zhvillimin e të gjitha projekteve, sepse pa lidhje të korridoreve nuk do të kemi zhvillim ekonomik”, ka thënë ministri Lekaj, duke shtuar se lidhur me mosnënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, këtë çështje po presin që të përpilohet marrëveshja, ndërkaq paralajmëroi që në korrik do të jetë e përfunduar.

“Nuk kemi asnjë mosmarrëveshje dhe në asnjë segment nuk e kemi kundërshtuar njëri-tjetrin”, ka thënë Lekaj.

Ndërkaq, Ministri i Transportit dhe Çështjeve Detare të Malit të Zi, Osman Nurkoviq, ka deklaruar se projekti më i rëndësishëm që pritet të realizohet është ndërtimi i tunelit Pejë-Rozhajë.

“Projekti më me rëndësi është ndërtimi i tunelit ndërmjet Pejës dhe Rozhajës, dhe për këtë projekt kemi biseduar që një vit e gjysmë dhe projekti ka arritur në nivelin e dy ministrave dhe shpresoj që do të realizohet”, ka thënë ministri i Malit të Zi, Nurkoviq, duke shtruar se në këtë takim u biseda edhe për ndërtimin e një harku të ri rrugor mes Pejës dhe Rozhajës dhe për lidhjen hekurudhore të këtyre dy vendeve.

“Kemi biseduar edhe për largimin e taksës kufitare mes dy vendeve, këtë e kemi identifikuar si barrierë që i pengon bizneset dhe për këtë çështje kemi përkrahjen e qeverive. Kemi biseduar për lidhjen e një marrëveshjeje për transport dhe besoj që do ta nënshkruajmë në korrik”, ka thënë ai, duke bërë të ditur se tuneli Pejë-Rozhajë do ta financohet nga qeveritë përkatëse. L.BEKAJ/ Kosova.Info